Lidhje

SHBA, 6 të vrarë nga dalja e një treni nga shinat


Hetuesit federalë arritën sot në Filadelfia, në vendin ku një tren pasagjerësh mbrëmë doli nga shinat, duke shkaktuar vrasjen e të paktën gjashtë njerëzve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Treni me 243 pasagjerë dhe ekuipazhin në bord po udhëtonte nga Uashingtoni për në Nju Jork kur 7 vagonat e tij dolën nga shinat pranë qytetit të Filadelfias.

"Unë së bashku me stafin tim shkuam në vendin e ngjarjes ku ishte një gjendje katastrofale. Unë nuk kam parë një aksident si ky në jetën time, dhe shumica e personelit thonë të njejtën gjë", - thotë kryebashkiaku i qytetit të Filadelfias, Michael Nutter.

Njësi të shumta të emergjencës shkuan në vendin e ngjarjes pasi treni i shoqërisë Amtrak me të paktën 243 pasagjerë dhe ekuipazhin në bord, doli nga shinat gjatë një udhëtimi nga Uashingtoni në Nju Jork.

Shumë pasagjerë arritën të dilnin nga vagonat e dëmtuar, ndërsa të tjerët ishin të bllokuar deri në arritjen e ekipeve të emergjencës. Zyrtarët thonë se të paktën 135 pasagjerë u transportuan në spitalet rreth vendit të ngjarjes për trajtime mjekësore, përfshirë gjashtë persona të cilët janë në gjendje kritike. Njëri nga pasagjerët, ligjvënësi amerikan Patrick Murphy, bëri disa fotografi të trenit të aksidentuar dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe i publikoi ato në llogarinë e tij në Twitter.

Zona ku ka ndodhur aksidenti mbrëmë është afër vendit ku në vitin 1943 një tren tjetër kishte dalur nga shinat duke vrarë 79 njerëz. Edhe ky tren po udhëtonte nga Uashingtoni në Nju Jork.

Amtrak, shërbimi kombëtar hekurudhor për pasagjerët i financuar nga qeveria amerikane, sot është duke ofruar shërbime të kufizuara në linjën mes Uashingtonit dhe Filadelfias, ndërsa i ka pezulluar shërbimet mes Filadelfias dhe Nju Jorkut.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit tha se një ekip i hetuesve federalë ka arritur sot në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaqet e aksidentit.

XS
SM
MD
LG