Lidhje

Presidenti Trump në udhëtimin e parë jashtë vendit


Donald Trump filloi të premten udhëtimin e parë jashtë vendit që kur u zgjodh në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke e lënë Shtëpinë e Bardhë të zhytur në një sërë kundërthëniesh, që kanë nxitur disa politikanë të bëjnë një krahasim me skandalin Watergate, që çoi në rrëzimin e presidentit Richard Nixon.

“Ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë", u tha gazetarëve të enjten presidenti Trump.

Kundërthëniet përfshijnë përjashtimin e ish shefit të FBI-së, James Comey, në mes të pretendimeve se presidenti Trump kërkonte që Comey të ndërpresë hetimet ndaj ish këshilltarit për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Presidenti po përballet po ashtu me pikëpyetjet rreth lidhjeve të tij me Rusinë gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe pretendimeve se ai i ka zbuluar materiale të fshehta ministrit të jashtëm rus gjatë një takimi në zyrën ovale.

Vizita e tij jashtë vendit përfshinë ndalesat në Arabinë Saudite, Izrael dhe Vatikan, vende të shenjta për të tri fetë më të mëdha të botës.

Në Arabinë Saudite, presidenti Trump, që kishte folur hapur për mosbesim ndaj myslimanëve dhe kishte bërë përpjekje të ndalojë hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, do të mbaje fjalim për islamin para një grupi të udhëheqësve myslimanë.

H.R. McMaster, këshilltar i sigurisë kombëtare, tha se presidenti ka shpresë për shfaqjen e një vizioni paqësor të islamit.

Kundërthëniet përcjellin edhe vizitën e presidentit në Izrael, pas pretendimeve se ai u kishte dhënë zyrtarëve rusë të dhëna të shërbimeve izraelite të zbulimit.

Presidenti amerikan do të shkojë edhe në Vatikan për të takuar papa Frençeskun dhe më pastaj do të shkojë në Bruksel për të takuar vendet anëtare të NATO-s, para se t'i jap fund udhëtimit të tij në qytetin sicilian Taormina për takimin e G-7-ës

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG