Lidhje

Presidenti Trump fali dhjetëra persona në ditën e fundit në detyrë


Presidenti amerikan në largim, Donald Trump, shpalli faljen për 73 persona dhe ndryshoi dënimet për 70 të tjerë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë, pak orë para përfundimit të mandatit të tij.

Në mesin e të falurve është edhe ish strategu i fushatës dhe këshilltari i lartë i presidentit Trump, Steve Bannon, i cili u akuzua për mashtrimin e mijëra investitorëve që besuan se po jepnin para për një projekt për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Prokurorët pretenduan se Bannon përdori më shumë se një milion dollarë për të paguar një zyrtar të fushatës dhe shpenzimet e tij personale.

Presidenti Trump fali edhe zotin Elliot Broidy, një ish-mbledhës kryesor i fondeve të zotit Trump, i cili u deklarua fajtor vitin e kaluar për shkeljen e ligjeve të huaja të lobimit.

Presidenti Trump zbuti dënimin për ish kryetarin e Detroitit, Kwame Kilpatrick, i cili po vuante një dënim prej më shumë se 20 vjet heqje lirie për përdorimin e pozicioneve të tij si një zyrtar i zgjedhur për të kryer zhvatje, ryshfet dhe mashtrim.

Në mesin e të falurve është edhe Dwayne Carter Jr, një reper i njohur me emrin Lil Wayne, i cili ishte deklaruar fajtor për një akuzë federale për armëmbajtje.

Përgjatë vitit të kaluar presidenti Trump kreu një numër faljesh për bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij, përfshirë një ish-menaxher tjetër të fushatës Paul Manafort, këshilltarin e tij të besuar Roger Stone, këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare Michael Flynn dhe Charles Kushner, babai i dhëndrit të tij Jared.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG