Lidhje

Presidenti Trump me plan të ri për rihapjen e qeverisë


Presidenti amerikan, Donald Trump, shpalli të shtunën planin e tij për tejkalimin e mbylljes së pjesshme të qeverisë më shumë se katër javë, por ende kërkon 5.7 miliardë dollarë për ngritjen e murit në kufirin me Meksikën.

Ai tha plani i tij përfshinë: “800 milionë dollarë për ndihmë emergjente humanitare. 805 milionë dollarë për teknologjinë e zbulimit të narkotikëve për të ndihmuar sigurinë e vendkalimeve kufitare. Dy mijë e 750 agjentë kufiri dhe profesionistë të sundimit të ligjit. 75 ekipe gjykatësish për të zvogëluar ngarkesën e gjykatave me, besoni apo jo, 900 mijë raste”, tha presidenti Trump.

Ai tha se plani përfshinë masa thelbësore për të mbrojtur fëmijët migrues nga shfrytëzimi dhe abuzimi. “Kjo përfshinë një sistem të ri që u mundëson të miturve nga Amerika Qendrore që të aplikojnë për strehim në vendet e tyre dhe reformën për të nxitur bashkimin e familjeve për fëmijët e pashoqëruar”.

“Për tyë siguruar fizikisht kufirin tonë, plani përfshinë 5.7 miliardë dollarë për ngritjen strategjike të pengesave fizike, apo murit”, tha ai, duke nënvizuar se shkalla e krimit dhe problemet me narkotiket do të zvogëloheshin.

Në fjalimin e tij prej rreth 14 minutash, presidenti ofroi edhe dy pika të planit të tij të kompromisit për të tejkaluar bllokadën.

Pika e parë ka të bëjë me rreth 700 mijë ëndërrimtarë, (dreamers) të cilët kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara me prindërit e tyre në mënyrë të paligjshme. Ata mbrohen nga dëbimi sipas një programi që u lejon atyre të punojnë, por nuk marrin nënshtetësinë, program të cilin presidenti Trump kishte kërkuar ta anulojë. Ai tha se për tre vjet me radhë “atyre do t’u ofrohet qasje në leje të punës, numrat e sigurimit social dhe mbrojtjen nga dëbimi”.

Së dyti, tha ai, plani ynë “siguron zgjatje prej 3 vjetësh të statusit të përkohshëm të mbrojtjes. Kjo nënkupton se 300 mijë emigrantë statusi i mbrojtur i të cilëve skadon, do të kenë tre vjet të tjera sigurie”.

Ai tha se plani i tij synon t’i siguroje Kongresit një rrugë përpara për t'i dhënë fund mbylljes së qeverisë dhe për të zgjidhur krizën në kufirin jugor. “Nëse ne jemi të suksesshëm në këtë përpjekje, atëherë do të kemi shansin më të mirë për një reformë të vërtetë, dypalëshe të emigracionit”

Por, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha që para fillimit të fjalimit se "për fat të keq raportimet e para flasin se propozimi i tij është një është një përmbledhje e disa nismave të refuzuara më parë, çconjëra prej të cilave është e papranueshme dhe në tërësi, nuk përfaqësojnë një përpjekje me besim të mirë për të rivendosur siguri për jetën e njerëzve ".

Mbyllja e qeverisë federale po ndikon në mbarë popullsinë amerikane

Refuzimi i demokratëve për të financuar murin e propozuar nga Presidenti Trump çoi në mbylljen më të gjatë të qeverisë në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe ka prekur 800 mijë punonjës federal, që janë të pezulluar ose punojnë pa pagesë, dhe pasojat po shtrihen në mbarë vendin.

Punonjësit federalë në mbarë vendin thonë se durimi ka sosur.

Disa familje, të cilat nuk janë mbështetur kurrë tek dhurimet bamirëse, tashmë janë duke iu drejtuar për ndihmë depove ushqimore. Po ndikohen edhe studentët që përftojnë vakte falas ose me çmim të ulur në shkolla.

Një shkollë në Karolinën e Veriut njoftoi se do të rishikohen menutë e ushqimit për të kursyer rezervat ushqimore dhe fondet.

Familja Lambert është e shqetësuar për ushqimin për fëmijët e tyre 5 dhe 6 vjeçarë.

“Sa më shpejt ta zgjidhin, aq më mirë për ne me të ardhura të ulëta”, thotë zoti Lambert.

Në Kaliforni, sindikatat e punonjësve të sigurisë së transporteve thonë se mbyllja e qeverisë ka zgjatur jashtëzakonisht shumë.

Në Uashington, familjarët po u kërkojnë ligjvënësve të gjejnë rrugën e përbashkët.

“Kam lënë të gjitha objektet e mundshme tek dyqani i pengjeve. Tani s’kam ç’bëj më”, thotë zonja Smith.

Vazhdimësia e mbylljes së qeverisë, po godet edhe bizneset.

Mohammad Badah ka që në vitin 2014 që tregton gatimet e Lindjes së Mesme në Uashington. Ai thotë se mbyllja e qeverisë i ka ulur shitjet në mënyrë dramatike.

“Normalisht, në këtë zonë u shërbej vakte rreth 60-70 klientëve. Sot, kanë qenë vetëm 19 dhe e gjithë kjo javë ka qenë vërtet shumë e keqe”, thotë zoti Badah.

Nga dy kamionë ushqimorë në pronësi të tij, tashmë zoti Badah nxjerr në punë vetëm njërin. Ai thotë se nëse shitjet nuk rikthehen deri javën e ardhshme, ai do ta ndalë aktivitetin dhe do të kërkojë për punë tjetër. Deri më tani, nuk ka patur shenja tërheqjeje as nga demokratët dhe as nga republikanët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG