Lidhje

SHBA, Turqia dhe çështja e Sirisë


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të martën se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara John Bolton “po bënte një gabim të madh”, duke i kërkuar Ankarasë që të garantojë sigurinë e luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore, para se Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga Siria.

Duke kritikuar komentet e zotit Bolton në fillim të javës, Erdogan u citua të ketë thënë se nuk kanë për t’u bërë “lëshime” në qëndrimin e Ankarasë ndaj atyre që udhëheqësit turq i përshkruajnë si grupe terroriste në Siri. Turqia mohoi t’i ketë premtuar Shteteve të Bashkuara se Ankaraja do të krijojë kushte sigurie për forcat milicore Njësitë Mbrojtëse të Popullsisë Kurde të Sirisë, të njohura si YPG.

Presidenti turk Erdogan i bëri këto komente pasi zoti Bolton vizitoi Ankaranë për konsultime me zyrtarë qeveritarë. Erdogan nuk u takua me zotin Bolton, por me zyrtarë të tjerë turq, në mesin e tyre zëdhënësin e Presidentit Ibrahim Kalin dhe Ministrin e Mbrotjes, Hulusi Akar.

Zëdhënësi i tha gazetarëve, se “Askush nuk duhet të presë që Turqia të japë siguri për një organizatë terroriste.”

Një zyrtar i lartë amerikan i tha Agjencisë së Lajmeve Reuters, se zoti Bolton nuk e kishte ndjerë veten të papërfillur nga zoti Erdogan, ngaqë planet për një takim mes tyre nuk ishin konfirmuar. Sipas Reutersit, Boltonit i kishin thënë se Turqia nuk do të ndërmerrte ofensivë në Siri, përsa kohë që atje ndodheshin forcat amerikane.

Uashingtoni i mbështet njësitë kurde YPG në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik. Turqia i lidh ato me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, një gurp kurd që prej disa dekadash lufton në Turqinë juglindore. Turqia, sikurse Uashingtoni dhe Bashkimi Europian, e konsiderojnë PKK-në grup terrorist.

Bolton hasi në kundërshtime pasi u përpoq të negocionte për rreth 2 orë për sigurinë e aleatëve kurdë në Sirinë verilindore. Zëdhënësi i tij tha se bisedimet mes zyratëve amerikanë dhe atyre ushtarakë turq do të vazhdonin të martën. Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë vende aleate në NATO.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG