Lidhje

Ndihma amerikane për Ukrainën


Administrata e Presidentit Obama nuk ka marrë ende një vendim nëse do t'i japë Ukrainës armatim luftarak në luftën e saj kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Qeverisë amerikane po i bëhet thirrje që të ofrojë 3 miliard dollarë ndihma luftarake dhe jo luftarake për Ukrainën.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki u tha gazetarëve se të gjitha alternativat janë në tryezë.

Jen Psaki, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit

"Ne vazhdojmë të vlerësojmë se si duhet vepruar për të mbështetur më mirë Ukrainën. Fokusi ynë mbetet tek arritja e një zgjidhjeje me mjete diplomatike. Ne vazhdojmë të vlerësojmë alternativat e tjera që ndihmojnë të krijohet hapësira për një zgjidhje të krizës me negociata."

Komentet e zonjës Psaki bëhen ndërkohë që rritet trysnia që vendet perëndimore t'i ofrojnë Ukrainës ndihmë me armatime luftarake dhe të shtojnë ndihmën me materiale të tjera joluftarake.

Dje, Këshilli Atlantik, së bashku me Institutin Brookings, publikuan një raport ku u bëhej thirrje Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë 3 miliard dollarë ndihma luftarake dhe jo luftarake për Ukrainën.

Analisti i Institutit Brookings, Stephen Pifer thotë se është koha që SHBA të ndryshojnë qasje:

Stephen Pifer, Analist, Instituti Brookings

"Ne rekomandojmë gjithashtu që qeveria amerikane të shqyrtojë mundësinë për të përdorur stoqe nga armatimet e tyre të mbrojtjes dhe t'i dërgojnë në terren. Kjo sidomos sepse, kur në Ukrainë të vijë pranvera, në prill ose maj, ka mundësi të shohim një shtim të rëndësishëm të luftimeve, prandaj ka shumë rëndësi momenti."

Kohët e fundit luftimet janë intensifikuar në rajonet e vetëshpallura separatiste të Donetskut dhe Luhanskut, sidomos rreth qytetit Debaltseve të kontrolluar nga Ukraina. Intensifikimi vjen pas dështimit të shtunën të bisedimeve të paqes në Bjellorusi mes qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të shkojë nesër në Kiev për t'u takuar me Presidentin Petro Poroshenko dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG