Lidhje

Pyatt: Mbështetja ruse për separatistët


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë thotë se separatistët në pjesën lindore të vendit nuk do të mund të përshkallëzonin luftën e tyre pa të paktën një "mbështetje të heshtur" të qeverisë ruse. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në Kiev, ambasadori Geoffrey Pyatt, tha se separatistët janë të trajnuar gjithnjë e më mirë. Ai gjithashtu foli edhe për zgjedhjet presidenciale të së dielës, dhe rrugën përpara për Ukrainën dhe Perëndimin.

Vetëm disa javë më parë, separatistët e mbështetur nga Rusia ishin një grup i pa organizuar ekstremistësh që mbanin vetëm disa ndërtesa në Ukrainën lindore. Tani ata janë një forcë ushtarake efektive që ka kryer sulme të suksesshme në aeroportin kryesor të Ukrainës lindore dhe ndaj disa njësive ushtarake të Ukrainës.

Ambasadori amerikan në Kiev, Geoffrey Pyatt thotë se ata nuk mund t’i kenë kryer këto operacione të vetëm.

"Ka prova të mëdha se këto grupe janë të ardhura nga ana tjetër e kufirit rus. Unë jam skeptik se kjo do të mund të ndodhte pa një lloj mbështetjeje të heshtur zyrtare".

Ambasadori amerikan dënoi sulmet e separatistëve, të cilat tha se kanë për qëllim krijimin e kaosit ndërkohë që vendi është në proces të formimit të një qeverie të re.

Ambasadori Pyatt vlerësoi gjithashtu zgjedhjet e së dielës, të mbajtura në shumicën e vendit, megjithë dhunën në lindje. Ai është dakord me vëzhguesit zyrtarë se rezultati i zgjedhjeve është i ligjshëm, edhe pse shumë njerëz në dy rajonet lindore nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në votimet e së dielës.

"Në balancë, ne i shohim këto si ndoshta zgjedhjet më të lira në historinë e Ukrainës, nga e pikëpamja e kandidatëve që konkurruan, cilësisë së organizimit administrativ dhe lirisë së shtypit. Këto ishin zgjedhje pozitive për Ukrainën dhe për popullin e saj".


Ambasadori Pyatt thotë se Petro Poroshenko, fituesi i zgjedhjeve presidenciale, ka një "mandat të qartë " dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin përparësitë e tij për sjelljen e paqes në lindje, luftën kundër korrupsionit dhe lëvizjen e Ukrainës më afër Perëndimit.

"Ne e shohim këtë si një mënyrë për të ndërtuar begatinë për qytetarët ukrainas, për të ndërtuar stabilitet për institucionet e Ukrainës, dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike në këtë vend".

Ambasadori Pyatt thotë se atij nuk i vjen keqë për mbështetjen amerikane për lëvizjen pro - evropiane e cila çoi në përmbysjen e ish-presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç, dhe nxiti Rusinë të aneksonte Krimenë dhe të fillonte përpjekjet për destabilizimin e Ukrainës lindore. Ai hodhi poshtë akuzat ruse se Shtetet e Bashkuara kanë organizuar lëvizjen pro-evropiane, dhe i quajti ngjarjet e gjashtë muajve të fundit në Ukrainë "një revolucion dinjiteti".
XS
SM
MD
LG