Lidhje

Shprehje të racizmit në universitetet amerikane


Byroja Federale e Hetimeve ka filluar një hetim ndaj një krimi me bazë urrejtjen në Universitetin Amerikan, pasi u gjetën banane të varura në disa pjesë të qytetit universitar në Uashington DC, në datën 1 maj.

Tek shumë prej bananeve ishin shkruar inicialet "AKA," që i përkasin shoqërisë universitare të vajzave, Alpha Kappa Alpha, ku historikisht kanë marrë pjesë studente me ngjyrë.

Ky incident ndodhi vetëm disa ditë pasi Taylor Dumpson, një anëtare e AKA-s, bëri betimin si presidentja e parë afrikano-amerikane e fakultetit të degës së qeverisjes.

Presidenti i Universitetit, Neil Kerwin, e dënoi incidentin, duke thënë se ai nuk përfaqëson mënyrën e sjelljes së komunitetit të Universitetit Amerikan.

"Universiti Amerikan mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të diversitetit, gjithëpërfshirjes, mirësjelljes, dinjitetit njerëzor dhe se aktet e fanatizimit vetëm se e forcojnë vendosmërinë tonë. Kushdo që mendon ndryshe nuk ka si të ketë vend këtu,” – tha ai.

Universiteti mbajti një takim me pjesëmarrje të gjerë më 4 maj, për të diskutuar lidhur me incidentin. Pas takimit, studentët marshuan në mjediset e kampusit.

Kjo nuk është hera e parë që Universiteti Amerikan evidentohet për incidente me nuanca raciste. Në fund të vitit të kaluar, një studenteje afrikano-amerikane i patën lënë banane të prishura tek dera e dhomës së konviktit, si dhe një vizatim me përmbajtje fyese. Po atë mbrëmje, dy studenteve të tjera afrikano-amerikane i gjuajtën me banane.

Vitet e fundit ka patur një shtim të gjuhës fyese ndaj studentëve me ngjyrë dhe atyre homoseksualë në qytete universitare të SHBA.

Zyrtarët universitarë thonë se po përpiqen t’i gjejnë autorët e këtyre krimeve të urrejtjes.

Sipas një raporti të ri të Ligës Kundër Shpifjeve, që nga fillimi i vitit shkollor ka patur rreth 150 incidente, në të cilat supremacistë të bardhë kanë lënë fletushka me përmbajtje raciste në kampuset universitare.

"Supremacistët e bardhë janë duke u mobilizuar me shpresën që ta kthejnë aktivizmin e tyre në internet në veprime reale nëpër qytete universitare dhe ndaj të rinjve”, - tha shoqata e studentëve “Alpha Kappa Alpha”. “Pa dyshim, që ekstremistët gjejnë vlera në rekrutimin e një brezi të ri që të mund ta çojë përpara në të ardhmen lëvizjen e tyre.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG