Lidhje

Trump: komisioni për manipulimin me votat, “shumë transparent”


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se një komision për manipulimin me votën, i cili u krijua gjatë mandatit të tij, do të jetë “shumë transparent” dhe rezultatet e punës së tij do të bëhen publike sapo të ketë përfunduar së shkruari raporti.

Raporti do të jetë “i aksesueshëm nga të gjithë” tha Trump gjatë takimit të parë të komisionit. “Do ta trajtoni këtë detyrë të rëndësishme me një mendje të hapur, jo duke dalë në përfundime paraprake, ende pa përfunduar procesi. Duhet të mbeteni te faktet me objektivitet dhe të shikoni se ku do t’ju çojnë ato”, i tha ai komisionit, i cili kësaj here ishte mbledhur për betimin e pjestarëve, për të formuluar objektivat dhe për të diskutuar hapat e radhës.

Muajin e kaluar, Komisioni kërkoi informacione për votuesit nga 50 shtete.

Presidenti Trump lajmëroi krijimin e këtij komisioni ditët e para të mandatit, pas akuzave pa fakte dhe prova, se miliona vota të jashtëligjshme bënë që ai të humbiste votën popullore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2016.

Nënpresidenti Mike Pence premtoi se komisioni do jetë “një institucion jopartiak në shërbim të popullit amerikan”, ndonëse disa demokratë kanë ngritur dyshimet e tyre në lidhje me efikasitetin e këtij komisioni, duke kërkuar nga ana tjetër edhe largimin e Kris Kobach nga posti i nënkryetarit.

Kritikët e komisionit thonë se ai është pjesë e një përpjekjeje për të ushtruar trysni ndaj votusëve, me qëllim heqjen nga listat të minoriteteve dhe votuesëve demokratë, si dhe përligjjen e akuzave të presidentit Trump për manipulimin me votat.

Në një letër drejtuar nënpresidentit Pence të martën, katër nga përfaqësuesit më të rëndësishëm në dhomën e demokratëve, Elijah Cummings, John Conyers, Bennie Thompson dhe Robert Brady, thanë se ishin të shqetësuar, pasi kërkesa e komisionit për të dhënat e votuesit “shkel hapur ligjet federale mbi privatësinë dhe transparencën”.

“Zoti Kobach ka pretenduar vazhdimisht, pa asnjë provë, se ka patur një manipulim të madh me votat. Ai e përdor punën në këtë Komision për të promovuar kandidimin e tij për guvernator të Kansasit”, shkruhet në letër. “Këto veprime cënojnë integritetin e Komisionit dhe ngrenë dyshime të mëdha se mos përdoret si mjet për të ushtruar trynis ndaj votuesëve”.

Megjithatë, presidenti Trump, tha se ky komision do ta “ruajë” shenjtërinë e zgjedhjeve amerikane dhe do t’u përmbahet fakteve, pavarësisht se ku të çojnë ato.

Sipas presidentit Trump, më shumë se 30 shtete kanë rënë dakord për të ndarë të dhënat me komisionin, por shtete të tjera e refuzuan kërkesën e presidentit Trump për të ndarë informacione personale mbi votuesit, të tilla si emrat e tyre, historia se si kanë votuar në të shkuarën apo antarësimet në parti.

Presidenti Trump i kritikoi këto deklarata, duke shtuar: “Lind pyetja se çfarë i shqetëson ata”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG