Lidhje

SHBA, Rreziqet për imigrantët në shkretëtirë


Vija kufirare që ndan Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën shtrihet për 3200 km nga Gjiri i Meksikës deri në Baja California. Por për imigrantët e panumërt që përpiqen ta kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme çdo vit, udhëtimi është i vështirë dhe shpesh herë vdekjeprurës. Në jug të shtetit të Arizonës, mungesa e ujit është shkaktari numër një i vdekjeve:

Kjo është Arizona e jugut, ku ndodhet shkretëtira e Sonorës. Në dallim nga lugina Rio Grande e Teksasit, ku ka vazhdimisht një dyndje të madhe imigrantësh të paligjshëm, këtu në Arizona nuk kalon ndonjë lum. Rrotull sheh male të zhveshura, kaktuse dhe gjarpërinj helmues që ngrohen nën diellin përzhitës.

“Temperaturat janë tepër të larta. Natën bën ftohtë, por ditën është shumë nxehtë. Kjo është një zonë shumë e rrezikshme, ku vërejmë numrin më të madh të vdekjeve ndër individët që futen ilegalisht përmes kufirit”.

Shkaku kryesor është mungesa e ujit.

“Ata mund të mos kenë ujë të mjaftueshëm për të përfunduar udhëtimin. Pra brenda ditës u mbaron uji dhe për disa prej tyre, nëse janë të dehidratuar para se të fillojnë udhëtimin, për pak orë janë në rrezik jete nga etja”.

Njësia “BORSTAR” e Rojes Kufitare amerikane kryen operacione kërkim-shpëtimi dhe ka si objektiv të ulë numrin e vdekjeve ndër imigrantët e paligjshëm. Këtë vit ata filluan programin “drita blu e jetës”, një seri shtyllash mbi shtatë metra të larta të vendosura në pika strategjike në shkretëtirë ku mund të bëhen telefonata në raste emergjente. Shtyllat reflektojnë një dritë të fortë blu dhe gjatë ditës shkëlqejnë nën dritën e diellit.

“Analizuam mjetet që kemi në dispozicion dhe filluam të përdorim të dhënat statistikore dhe informatat për terrenin. Në këtë mënyrë piketuam vendet më të mira ku mund t’i vendosnim linjat e telefonatave për ata që ndodhen në gjendje kritike në shkretëtirë”.

Njësia e Rojes Kufitare në Tucson thotë se ekipi i tyre ka shpëtuar këtë vit 459 vetë, 142 prej të cilëve falë linjave të telefonatave emergjente.

XS
SM
MD
LG