Lidhje

Usain Bolt, ende njeriu më i shpejtë në botë


Sprintieri xhamajkian Usain Bolt mbetet njeriu më i shpejtë në botë. Ai fitoi garën e 100 metrave për të tretën Olimpike radhazi, gjë që nuk e ka arritur asnjë atlet tjetër më parë.

Xhamajkiani Bolt kaloi amerikanin Justin Gatlin tek 80 metërshi, duke arritur vijën e finishit në 9.81 sekonda.

Ishte një ndër garat më të pritura të atletikës, por edhe të mbarë Olimpikeve të Rios. Ndërsa në vendlindjen e tij, xhamajkianë entuziastë që e ndiqnin përmes televizorit në kryeqytetin e vendit, Kingston, shpërthyen në brohoritje kur ai arriti fitoren.

Por Bolt nuk e mbyll me kaq konkurrimin në Rio. Ai ka ambicje të fitojë edhe garën e 200 metrave dhe stafetën 4X100 metra për herë të tretë.

“Vazhdoni të më ndiqni, do të ketë të tjera,” tha ai të dielën. “Dikush tha se mund të bëhem i pavdekshëm. Edhe dy medalje dhe pastaj e mbyll. I pavdekshëm!”

Po dje, sprintieri afrikano-jugor Wade van Niekerk hyri në histori me fitoren në 400 metra, duke thyer edhe rekordin botëror me 43.3 sekonda, të vendosur në 1999 nga amerikani Michael Johnson.

Van Niekerk ishte në një pozicion disavantazhi, pasi ishte në korsinë e jashtme të pistës, kështu që nuk i shihte sa larg prej tij ishin konkurrentët e tjerë.

"Gjatë gjithë kohës vrapova si i verbër. Mendoja se dikush mund të ishte duke më zënë, s’e dija si po shkonte gara, por isha i motivuar dhe vazhdova me vrull,” tha pas fitores atleti.

Van Niekerk fitoi me një diferencë prej mbi 7/10 të secondës nga Kirani James i Granadës, i cili mori medaljen e argjendtë. LeShawn Merrit i Shteteve të Bashkuara doli i treti me medalje të bronxtë.

Tifozët brazilianë shpërthyen në brohoritje entuziaste gjatë konkurrimeve të gjimnastikës, kur u paraqit gjimnasti i tyre Hypolito Diego. Ai mori medalje të argjendtë në konkurrimet e dyshemesë, ndërsa braziliani tjetër Mariano Arthur mori të bronxtën. Britaniku Max Whitlock fitoi medaljen e artë në konkurrimet e dyshemesë, si dhe në konkurrimet në kaluç.

Ndër garat e gjimnastikës për femra, amerikania Simone Biles e çimentoi dominimin e saj duke marrë medaljen e artë në kërcimin e kaluçit, e treta medalje e artë në këto lojëra. Ajo mundi rusen Marika Paseka dhe zvicerianen Giulia Steingruber. Sot Simone Biles do të përpiqet për një medalje tjetër në traun e ekuilibrit.

Rusja Aliya Mustafina fitoi dje në konkurrimet në paralele, ndërsa amerikania Madison Kocian mori medaljen e argjendtë dhe gjermania Sophie Scheder të bronxtë.

Golfi u rikthye pas 104 vjetësh në Olimpike. Britaniku Justin Rose mori medaljen e artë, pasuar nga suedezi Henrik Stenson me të argjendtën, në vend të tretë amerikani Matt Kuchar.

Në tenis, britaniku Andy Murray mori medaljen e artë në garat teke për meshkuj duke mundur argjentinasin Juan Martin del Potro.

Keniania Jelagat Sumgong fitoi maratonën për femra me kohën 2:24:04, me një diferencë prej nëntë sekondash nga Eunice Kirwa, me orgjininë keniane, e cila përfaqësoi Bahrenin. Etiopiania Mare Dibaba doli e treta.

Sot zhvillohen konkurrime në unaza dhe kërcim kaluçi në garat e gjimnastikës për meshkuj.

Në atletikë, zhvillohen finalet në 400 metra dhe 3000 metra vrapim me pengesa për femra, si dhe 800 metra për meshkuj.

Po sot zhvillohen gjysmëfinalet e futbollit për femra, ku Brazili do të ndeshet me Suedinë dhe Gjermania me Kanadanë.

XS
SM
MD
LG