Lidhje

Studiuesit: Gjysma e prodhimit ushqimor hidhet


Sipas një raporti të ri, thuajse gjysma e ushqimit që prodhohet në botë shkon për mbetje. Instituti britanik i Inxhinierëve Mekanikë thotë se lufta me shpërdorimin është jetike për plotësimin e nevojve ushqimore ndërsa popullsia e globit shtohet me ritme të ndjeshme.

Çdo vit bota prodhon rreth katër miliardë ton ushqim. 30 deri në 50 përqind e këtij ushqimi hidhet në mbeturina , sipas raportit të Institutit britanik të Inxhinierëve Mekanikë.

Një pjesë e mirë e këtij shpërdorimi e ka burimin te mënyra se si korren të lashtat, si ruhen dhe transportohen, thotë bashkëautori i raportit Colin Brown.

“Të lashtat kalben me kalimin e kohës, kështu që duhet të mbahen thatë, në mjedis të freskët, dhe të transportohen e të përdoren sa më shpejt që të jetë e mundur. Pra, mendoj se nëse nuk kemi infrastrukturën e duhur apo transportin hekurudhor ne e dëmtojmë ushqimin sa herë që e lëvizim.”

Raporti thotë se në ekonomi të zhvilluara, si Europa dhe Shtetet e Bashkuara, përdorimi i praktikave të frytshme bujqësore ka bërë që një pjesë më e madhe e ushqimit të arrijë tek konsumatori. Por në raport thuhet se miliona tonë ushqim hidhet në mbeturina pasi i ka kaluar “data e shitjes”, ose sepse ndonjëherë nuk arrin fare në raftet e supermarketeve.

“Kur një mall mbërrin në supermarket, aty ka standarde shumë të larta për paketimin por jo aq të larta për shijen, vlerat ushqyese ose çmimin e mallit. E rëndësishme është pamja, kështu që shumë ushqim hidhet vetëm se nuk ka pamje tërheqëse”.

Nuk është faji i dyqaneve për këtë situatë, thotë Richard Dodd i Konsorciumit Britanik për shitjet me pakicë, i cili përfaqëson supermarketet.

“Në fakt, këto janë rregulla të vendosur nga Bashkimi Europian dhe shitësit kërkojnë të parët që të çlirohen prej këtyre rregullave. Dhe kjo ka ndodhur. Në vitin 2009, 26 produkte të ndryshme u hoqën nga lista”.

Shumë agjenci ndihmash dhe bamirësie e kanë mirëpritur raportin - duke theksuar sasinë e madhe të ushqimeve të hedhura, ndërkohë që miliona njerëz vuajnë nga kequshqyerja.

Agjencia e ndihmave “Shpëtoni fëmijët” thotë se në botë ka ushqim mjaftueshëm për të ushqyer çdo fëmijë - por ende ka 2.3 milion fëmijë që vdesin si pasojë e urisë çdo vit. Brendan Cox është drejtues i politikave në këtë agjenci.

“Familjet duhet të zgjedhin mes ushqyerjes së tyre apo të fëmijëve ndërkohë që askush nuk duhet të vendoset përpara një zgjedhjeje të tillë”.

Sipas autorëve të raportit në procesin e hedhjes së ushqimit, konsumohet territor, energji, pleh kimi dhe ujë. Por ata thonë se një tjetër mesazh del nga të dhënat:

“Mesazhi pozitiv që marrim nga kjo situatë është se ndërsa humbasim kaq shumë duke shpërdoruar, popullsia dhe kërkesa për ushqim rritet në botë- dhe ne mund ta plotësojmë këtë kërkese duke pakësuar shpërdorimin. Nuk do të na duhet të presim edhe më shumë pyje dhe të mbjellim më shumë të lashta”.

Me parashikimin se popullsia e botës do të mbërrijë në 9.5 miliardë banorë deri në vitin 2075, raporti arrin në përfundimin se pakësimi i shpërdorimeve duhet të bëhet pjesë e planit për plotësimin e kërkesave globale për ushqim.
XS
SM
MD
LG