Lidhje

Ushtria, Gjykata i rikthen kompetencat Presidentit


Kushtetuesja shfuqizoi disa pjesë të ligjit ““Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura” ku kompetencat i kishin kaluar kryeministrit

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa pjesë të ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” duke i rikthyer në këtë mënyrë presidentit të Republikës, disa kompetenca të cilat i kishin kaluar kryeministrit. Gjykata e mori vendimin pas një ankese që kishte bërë Kreu i Shtetit Bujar Nishani, i cili kishte kërkuar shfuqizimin e plotë të të gjithë ligjit si “të papajtueshëm me Kushtetutën”. Megjithatë ajo ka marrë parasysh pjesën dërrmuese të vërejtjeve të zotit Nishani.

Kështu, Gjykata ka shfuqizuar kompetencat që i jepeshin kryeministrit për të “nxjerrë në rezervë ose lirim, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura” si dhe atë për “miratimin, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, të planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje”.

Ndërkohë Gjykata ka lënë në fuqi të drejtën që Kryeministri “të miratojë, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative të Forcave të Armatosura”, ndonëse edhe kjo ishte një ndër pikat e kundërshtuara nga Kreu i Shtetit.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shfuqizohen edhe dy pika të tjera, që lidhen më kompetencën e kryeministrit gjatë gjendjes së Jashtëzakonshme ku ai përcaktohej të ishte “drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit”, si dhe kompetencën e tij gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore si “përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit”.

Ligji “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” u miratua fillimisht nga parlamenti qershorin e kaluar. Presidenti Nishani e ktheu atë pas në parlament, duke kundërshtuar pikërisht heqjen e disa kompetencave që i takonin Kreut të Shtetit, por përfaqësuesit e shumicës nuk i morën parasysh vërejtjet e tij, me justifikimin se këto kompetenca rregulloheshin me ligj dhe se nuk ishin të përcaktuara nga Kushtetuta, duke e rivotuar ligjin pa ndryshime.

XS
SM
MD
LG