Lidhje

25 vjet nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik

  • Luis Ramirez

25 vjet më parë, shpërbërja formale e Bashkimit Sovjetik shënoi rënien e komunizmit në Evropë dhe një epokë të re të demokracisë, liberalizmit perëndimor dhe rritjes ekonomike në gjithë rajonin, që dikur ishte i ndarë nga e ashtuquajtura Perde e Hekurt. Por disa ekspertë thonë se ritmi i zhvillimit në rajon nuk ka qenë gjithandej njëlloj dhe pabarazia e vazhdueshme me Perëndimin ka shkaktuar vështirësi për Bashkimin Evropian dhe ka çuar në rritjen e lëvizjeve nacionaliste.

Ulja për herë të fundit e flamurit sovjetik simbolizoi fundin e mbizotërimit komunist në një rajon që dy muaj më herët kishte rrëzuar qeveritë totalitare të krijuara sipas modelit të Moskës. Kishte filluar një epokë e re.

Sot Evropa ka një pamje shumë të ndryshme.

“Rënia e Murit na tregoi se ëndrrat mund të bëhen realitet. Asgjë nuk ka pse të mbetet pa ndryshuar”, thotë kancelarja Angela Merkel.

Por me ëndrrat erdhën edhe zhgënjimet dhe ndërgjegjësimi se disa vende nuk ishin plotësisht të gatshme për të përqafuar sistemet demokratike perëndimore të Bashkimit Evropian.

“Shumë nga ato vende të Evropës Lindore donin të shkonin drejt perëndimit, drejt modernizimit, liberalizmit, mirëqenies dhe ne shpejtuam më shumë përsa i takon ritmit të zgjerimit”, thotë profesor Alex Pravda i Universitetit të Oksfordit.

Ato vende dukej se i plotësuan kriteret e Bashkimit Evropian për luftëm kundër korrupsionit, miratimit të shtetit ligjor dhe respektit të të drejtave si ajo e shprehjes. Por tani, disa thonë se provimi nuk ishte aq i rreptë sa ç’duhej dhe perëndimi e ka humbur peshën e trysnisë për të ndryshuar sisteme të stilit sovjetik që nuk u zëvendësuan kurrë”.

“Kur je në pritje, ligjet i harton siç duhet, bën përpjekje për të luftuar korrupsionin. Por kur anëtarësohesh, nuk ka shumë stimuj për të bërë përpjekje.të mëdha. Kështuqë mendoj se Evropa Perëndimore është rrethuar nga disa shtete evropiano-lindore të paqendrueshme, autoritare, me një mentalitet që ka prioritet sigurinë, që kanë dalë nga ish-perandoria e vjetër sovjetike”, thotë prof. Pravda.

Në vitet 1990’, Rusia u përqendrua tek stabilizimi dhe jo tek politika e jashme. Analistët thonë se ai ishte momenti kur Evropa kishte një shans që të nxiste reforma të thella.

“25 vitet e fundit në Evropë ishin pikërisht koha kur Bashkimi Evropian kishte një shans, pa kërcënime të jashtme, apo presion nga jashtë për ta çuar përpara programin e BE-së dhe disa do të thonin që kjo ishte një mundësi e humbur sepse tani kemi një valë imgrantësh në portat tona, rusët po forcohen përsëri, po bëhen më aktivë në politikën ndërkombëtare dhe po ushtrojnë trysni ndaj Bashkimit Evropian”, thotë analisti politik Gregory Weeks.

Bashkimi Evropian sot e gjen veten të ndarë në dy grupe vendesh evropiane me ritme të ndryshme: njëri i përbërë nga anëtarët fillestarë në Perëndim, dhe tjetri me anëtarë të rinj, më pak të zhvilluar në lindje, kur kriza e imigrantëve ka nxitur ngritjen e lëvizjeve nacionaliste të së djathtës së skajshme, dhe siç druhen disa, mundësi të reja për rritjen e ndikimit rus.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG