Lidhje

Zyrtari i lartë i Vatikanit akuzohet për krime seksuale


Një ndër këshilltarët kryesorë të Papa Françeskut, Kardinali australian George Pell po akuzohet për abuzim seksual. Në një konferencë për shtyp, kardinali mohoi akuzat që po ngrihen nga autoritetet e vendit të tij, për akte të kryera dekada më parë. Kardinali Pell do të jetë zyrtari më i lartë katolik që do të përballet me akuza për abuzim seksual.

Kardinali Pell, i cili shërben edhe si këshilltari kryesor financiar i Papa Françeskut, u urdhërua të paraqitet më 18 korrik në një seancë të gjykatës së Melburnit, në lidhje me akuza për abuzime seksuale të disa dekadave më parë.

Gjatë një konference për shtyp nga qyteti i Vatikanit, ai deklaroi se është i pafajshëm.

“Kjo çështje ka qenë nën hetim tashmë për dy vjet. Ka patur rrjedhje informacioni në media. Ka patur një sulm të pandalshëm ndaj personalitetit tim dhe aludime se do të ngriheshin akuza. Mezi pres që më në fund të kem mundësinë të shprehem në gjykatë”, deklaroi kardinali Pell.

Kardinali tha se i është miratuar leja nga Papa Françesku për t’u marrë me këtë situatë.

Policia australiane nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, por ka thënë se ekzistojnë “persona të shumtë” që mbështesin akuzat.

Zoti Pell do të jetë zyrtari më i lartë katolik që do të përballet me akuza për abuzim seksual. 76-vjeçari ishte Kryepeshkop i Sidneit deri në vitin 2014, kur u thirr në Vatikan nga Papa Françesku për të zgjidhur skandalin që kishte përfshirë Bankën e Vatikanit, si dhe për të reformuar sistemin financiar të Kishës Katolike.

Ky zhvillim i ri përkon me përpjekjet e Papa Françeskut për të rinovuar radhët e kardinalëve të Kishës Katolike duke përzgjedhur prelatë të rinj nga vende që nuk kanë patur kurrë më parë përfaqësues në Kolegjin e Shenjtë të Kardinalëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG