Lidhje

Vatikani gati për dy shenjtërimet


Pope John Paul II at Giants Stadium in New Jersey in 1995.
Të djelën e ardhshme, më 27 prill, Papa Françesku do t'u japë statusin e shenjtorit dy prej paraardhësve që ai ka dashur më shumë: Gjon Palit të Dytë dhe Gjonit të 23. Vemendja kryesore e botës do të përqëndrohet te Papa Gjon Pali, megjithëse edhe Gjoni i 23-të nuk ka qenë më pak revolucionar.

Papa Gjon Pali II realizoi një papat të pazakontë që zgjati gati 27 vjet. Ai ishte papa më i shëtitur në histori. Udhëtimet e tij, të mbledhura bashkë, kapin një distancë të barabartë me 31 rrotullime rreth globit. Ai vizitoi 129 vende, emëroi më shumë shenjtorë se gjithë paraardhësit e tij të marrë së bashku dhe përshëndeti rreth 17 milionë besimtarë në Vatikan.

Lëvizjet e Papës u kufizuan nga parkinsoni dhe sëmundje të tjera, por më në fund ishte gripi që i mori atij jetën.

Miliona morën pjesë në lamtumirën e njeriut që i kishte mbijetuar pushtimit nazist dhe kishte dënuar komunizmin. Para se arkivoli i tij prej qiparisi të varrosej në bazilikën e Shën Pjetrit, njerëzit ngritën pankarta ku lexohej: Të shenjtërohet menjëherë.

Vatikani ra dakord me votën popullore dhe procesi i shenjtërimit të Papa Gjon Palit ishte më i shpejti në historinë moderne. Pasardhësi i tij, Papa Benedikti, vendosi ta kapërcejë rregullin e Kishës që normalisht kërkon një periudhë pritjeje pesë-vjeçare para se të fillojnë procedurat e para.

Procesi filloi menjëherë pas vdekjes së Gjon Palit. Sipas rregullave të Vatikanit, për shpalljen e një shenjti kërkohen dy mrekulli që t'i atribuohen atij. Mrekullia e parë ishte shërimi i një murgeshe franceze që vuante nga Parkinsoni.

Më 19 dhjetor 2009 Papa Gjon Pali II u shpall "I Nderuar" nga Papa Benedikti, dhe kjo hapi rrugën për lumturimin tij, në maj 2011.

Para ceremonisë, arkivoli i Papës Gjon Pali II u nxorr nga varri nën bazilikën e Shën Pjetrit dhe u vendos para altarit kryesor. Bazilika qëndroi e hapur ditë e natë për të lejuar pelegrinët t'i bënin nderimet e rastit.

E gjithë Roma u përfshi nga ethet e lumturimit dhe ceremonitë u kryesuan nga Papa Benedikti.

Një vend nderi ishte rezervuar për motrën Marie Simon - Pierre Normand, shërimi i pashpjegueshëm i së cilës ishte mrekullia e parë që iu atribua Gjon Palit.

Një mrekulli e dytë u miratua më 2 korrik, 2013 dhe u konfirmua nga Papa Françesku dy ditë më vonë.

Mrekullia e dytë që i atribuohet ndërhyrjes së Gjon Palit është kurimi i pashpjegueshëm i një gruaje nga Kosta Rika.

Ceremonia e kanonizimit për Gjon Palin e II dhe Gjonin e XXIII do të zhvillohet më 27 prill dhe Roma është duke u përgatitur për një vërshim tjetër të qindra e mijëra, në mos miliona pelegrinëve.
XS
SM
MD
LG