Lidhje

Vietnami: Diktohet një derë e avionit të zhdukur


Njoftohet se Marina vietnameze ka diktuar një objekt në ujrat pranë Vietnamit që ajo dyshon se është një nga dyert e avionit të zhdukur. Zyrtarët që hetojnë zhdukjen misterioze të aeroplanit me 239 njerëz në bord thonë ndërkaq se imazhet e radarit tregojnë se avioni mund të jetë kthyer mbrapsht në mënyrë të pashpjegueshme, para se të zhdukej nga radarët, por ata nuk japin hollësi të tjera.

Ministri malajzian i transportit thotë se kanë filluar hetimet për të gjetur identitetin e katër njerëzve në aeroplanin e zhdukur të kompanisë ajrore Malaysia Airlines, të cilët udhëtonin me pasaporta të vjedhura ose dokumente të dyshimtë.

Ministri i transportit Hishammuddin Hussein u tha gazetarëve sot se agjencitë malajziane të zbulimit po shqyrtojnë të gjithë listën e pasagjerëve dhe po punojnë me homologët e tyre ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe FBI-në amerikane.

“Të katër emrat, ia kemi dhënë agjencive tona të zbulimit dhe kam biseduar edhe me agjencitë ndërkombëtare për të na ndihmuar,” tha ministri.

Autoritetet thonë se ekipet e shpëtimit kanë zgjeruar zonën e kërkimit.

“Ne po shqyrtojmë mundësinë që avioni të jetë kthyer në ajër dhe në këtë rast na duhet të identifikojmë disa vendndodhje të ndryshme,” shtoi zoti Hussein.

Ndërsa kërkimet vazhdojnë pa asnjë shenjë të avionit, familjet e udhëtarëve vazhdojnë të arrijnë në Pekin.

“Ende nuk ka informacion. Kunati im ishte në avion,” thotë kjo grua.

Zyrtarët malajzianë thonë se po shqyrtojnë të gjitha mundësitë. Kontrollorët e trafikut ajror thonë se nuk morën ndonjë sinjal paralajmërimi para se avioni të zhdukej nga radarët.
XS
SM
MD
LG