Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet për të krijuar bateri të reja më efektive për ruajtjen e energjisë


Vazhdojnë përpjekjet për të krijuar bateri të reja më efektive për ruajtjen e energjisë
Vazhdojnë përpjekjet për të krijuar bateri të reja më efektive për ruajtjen e energjisë

Zhvillimi i një baterie të lehtë dhe me kosto të ulët është objektivi kryesor i bizneseve që merren me burimet alternative të energjisë. Deri tani këto bateri kanë qenë të rënda, të shtrenjta dhe kërkonin një kohë të gjatë të rikarikoheshin. Takimi vjetor i Shoqatës për Ruajtjen e Energjisë në Kaliforni është aktiviteti kryesor ku prezantohen arritjet më të fundit në ciklin e prodhimit të baterive.

Bateritë janë përdorur prej dekadash me synimin për të ruajtur rezervat energjetike. Por përdorimi i tyre ka qenë i kufizuar kur bëhej fjalë për nevoja që kërkojnë sasi të madhe energjie, si ngarja e makinës apo furnizimi me energji i industrisë.

Tani po intensifikohen përpjekjet për të dalë me bateri të reja që të ulin nevojën për hidrokarbure dhe të nxisin përdorimin e burimeve alternative të energjisë.

Shumë kompani po përpiqen të gjejnë mënyra për ta bërë ruajtjen e rezervave energjetike më efiçente në mënyrë që të përdoret për makina elektrike apo për të furnizuar rrjetin energjetik.
Krijimi i baterive më të fuqishme mund ta shndërrojë makinën elektrike në një artikull konsumi në masë, të shndërrojë energjinë diellore dhe atë të erës në burime më të qëndrueshme si dhe të ulë ndërprerjet e energjisë për konsumatorin privat.

Për këtë arsye shkencëtarët duan të gjejnë mënyra më të lehta dhe më të lira për ruajtjen e rezervave energjetike.

Në San Hoze të Kalifornisë, në takimin vjetor të industrisë së ruajtjes së energjisë, kompani amerikane dhe ndërkombëtare paraqesin produkte dhe ide të ndryshme.

Një ndër përdorimet më të rëndësishme të formave për ruajtjen e energjisë është shndërrimi i burimeve alternative energjetike si dielli dhe era si burimeve të qëndrueshme për përmbushjen e nevojave energjetike:

Haresh Kamath është menaxher i programit strategjik për Ruajtjen e Energjisë në Institutin Kërkimor për Energjinë Elektrike:

"Ruajtja e energjisë është shumë e rëndësishme për ta shndërruar rrjetin në një sistem më elastik që merr një sasi të madhe energjie nga burimet alternative. Kjo për një numër arsyesh. Aktualisht energjia e ripërtëritshme është shumë popullore. Shumë njerëz po instalojnë panele diellore, sisteme të energjisë së erës, pra ruajtja e energjisë që përftohet është shumë e rëndësishme, ndryshe dalin probleme, pasi prodhimi i energjisë nga këto burime luhatet. Nuk i dihet kur do të fryjë erë, dielli nuk ndriçon gjatë gjithë kohës. Prandaj duhen sisteme që ruajnë energjinë e prodhuar”.

Në San Francisko, kompania e Gazit dhe Elektrikut ka vënë në përdorim impiante të reja për të ndihmuar konsumatorët të ndjekin sasinë e energjisë së përdorur.

Një ide ende në fazën e projektimit është mundësia që konsumatori privat të ketë alternativa për të grumbulluar dhe ruajtur energjinë që prodhon me impiantin e tij privat.

Dhjetëra projekte teknologjike premtojnë sisteme për ruajtjen e rezervave energjetike për një grup banesash, dhe përdorimin e kësaj energjie kur ka ndërprerje të furnizimit nga rrjeti kryesor.

Jim Sember i kompanisë energjetike S & C shpjegon:

"Këto janë njësi për ruajtjen e rezervave energjetike në komunitet. Ky është një koncept i ri për industrinë energjetike, që sjell përfitime si për sektorin e prodhimit, ashtu edhe për konsumatorin. Këto njësi do të përdoren nga një grup i përbërë nga 3-5 shtëpi, për të ofruar energji rezervë nëse ka ndërprerje energjie. Në këtë mënyrë mbahen nën kontroll luhatjet e çmimit të energjisë gjatë rritjeve maksimale të kërkesës”.

Bateria me sodium nikeli është një ndër konkurentët në garën për prodhimin e një baterie më cilësore. Kjo bateri është më e lehtë se bacteria tradicionale me acid, funksionon edhe në temperatura tepër të larta apo të ulëta, dhe është 100% e riciklueshme, thotë Peter Tomas i kompanisë italiane Fiamm:

"Ajo që duam të bëjmë në të gjithë globin është të krijojmë ishuj energjetikë që lidhin burimet alternative të energjisë dhe ushqejnë stacionet e energjisë, duke integruar produktin e tyre në infrastrukturën ekzistuese energjetike”.

Shkenca e ruajtjes së rezervave energjetike vazhdon të përparojë ndërkohë që kompani novatore përpiqen të gjejnë zgjidhje më të mira. Me përmirësimin e teknologjisë, krijimi i sistemeve për ruajtjen e rezervave enegjetike të prodhuara do të jetë një component i rëndësishëm i zhvendosjes së konsumit nga nafta dhe gazi drejt burimeve të ripërtëritshme.

XS
SM
MD
LG