Lidhje

Gadafi fajëson al-Kaidën për protestat antiqeveritare


Gadafi fajëson al-Kaidën për protestat antiqeveritare
Gadafi fajëson al-Kaidën për protestat antiqeveritare

Udhëheqësi libian Moamar Gadafi ka fajësuar Osama bin Ladenin dhe terroristët e al-Kaidës për protestat antiqeveritare në vendin e tij. Në një fjalim që dha sot përmes telefonit në televizionin shtetëror, ai tha se forcat e al-Kaidës i kishin dhënë drogë me haluçinantë të rinjve në Libi për t’i detyruar që të bënin trazira. Ai tha se njerëzit “me mend në kokë” nuk do të merrnin pjesë në demonstrata.

Ai u kërkoi prindërve të kontrollonin fëmijët e tyre dhe t’i mbanin në shtëpi. Megjithatë njoftimet e pavarura të medias nuk e kanë lidhur al-Kaidën me kryengritjen. Ai e mbajti fjalimin ndërsa përleshje të reja shpërthyen mes luftëtarëve besnikë të udhëheqësit libian Moamar Gadafi dhe forcave anti-qeveritare që po io kërkojnë të largohet nga pushteti. Luftimet ndodhën rreth 200 kilometra në lindje të kryeqytetit Tripoli, në Misrata, ku forcat anti-qeveritare thanë dje se kishin marrë nën kontroll qytetin e tretë më të madh të vendit.

Një përleshje tjetër shpërtheu sot në perëndim të kryeqytetit në qytetin e Zawiyas. Është e paqartë nëse kishte pasur viktima nga përleshjet. Luftimet bëhen ndërsa forcat anti-qeveritare konsolidonin kontrollin në qytetet kryesore të lindjes dhe zotoheshin për të çliruar Tripolin.

Në Tripoli, baza e zotit Gadafi, organizatorët e protestave kishin bërë thirrje për tubime të reja sot dhe nesër, duke i rritur shanset për një përplasje të re të përgjakshme atje.

I biri i zotit Gadafi, Saif al-Islam Gadhafi përsëriti pretendimin se numri i viktimave është ekzagjeruar nga media e huaj. Ai tha se së shpejti gazetarët e huaj do të lejohen të hyjnë në Libi.

“Nesër do t’i sfidojmë, nesër është dita e sfidës. Qindra gazetarë po vijnë në Libi. Do t’i marrim me anëtarë të misionit diplomatik me helikopterë dhe nga toka. Unë dua që ata të më tregojnë se ku u hodhën bombat dhe ku janë të vdekurit”.

Milicë të armatosur dhe besnikë të Gadafit, një përzierje mercenarësh libianësh dhe afrikanë, njoftohet se qarkullojnë në Tripoli dhe se po konsolidojnë barrikadat mbrojtëse përreth qytetit. Agjentët e sigurisë thuhet se po kërkojnë të gjejnë ata që nuk janë besnikë të regjimit.

Zyrtarët e qeverisë kanë ofruar para për libianët që të dorëzojnë bashkëatdhetarët e vet.

Protestuesit dhe njësi ushtarësh që janë bashkuar me ta vazhdojnë të konsolidojnë kontrollin në thuajse gjithë gjysmën lindore të bregdetit prej një mijë e 600 kilometrash të Libisë, duke ngritur struktura qeveritare provizore dhe duke kontrolluar pikëkalimet e rrugëve kryesore.

Mijëra të huaj evakuohen nga Libia

Mijëra të huaj janë evakuuar nga Libia ndërsa të tjerë kanë mbushur portet dhe aeroportet në përpjekje për t’u larguar nga vendi.

Turqia ka evakuuar më shumë se 7 mijë qytetarë të saj. Shumë nga të evakuuarit mbërritën në portin Marmarisit.

Po sot tragetet me gati 4 mijë kinez mbërritën në ishullin grek të Kretës.

Ndërkohë Britania po debaton nëse ushtria do të jetë e nevojshme për të nxjerrë të paktën 170 punonjës të naftës që janë bllokuar në Libi.

Moti i keq detyroi një traget amerikan të kalonte natën në portin e Tripolit duke vonuar përpjekjet për të evakuuar amerikanët në Maltë.

Italia paralajmëron për krizë humanitare nëse libianët vërshojnë në Evropë

Ministri i brendshëm i Italisë ka paralajmëruar për një krizë humanitare në se refugjatë libianë fillojnë të vërshojnë në Evropë.

Roberto Maroni u bëri thirrje sot udhëheqësve evropianë të fillojnë planifikimin për një emergjencë katastrofike humanitare ndërsa situata në Libi përshkallëzohet më thellë. Ai foli gjatë një takimi të ministrave evropianë në Bruksel.

Gati 6 mijë refugjatë nga Tunizia janë tashmë në ishullin Lampeduza të Italisë.

Por zoti Maroni tha se më shumë se një milion refugjatë mund të largohen nga dhuna në Libi. Ai tha se Italia, si pika më praktike e hyrjes nuk do të jetë në gjendje të përballojë një fluks kaq të madh.

Ministri i brendshëm spanjoll Alfredo Perez Rubalcaba, vendi i të cilit ndan gjithashtu kufirin me Mesdheun, u tha ministrave se Evropa duhet të gjejë një zgjidhje të përbashkët për këtë sfidë.

XS
SM
MD
LG