Lidhje

Vdekjet e migrantëve në Mesdhe. Papa: Moment turpi


Vatican, Pope Francis delivers his Urbi et Orbi blessing, after celebrating Easter Mass at St. Peter's Basilica

Papa Françesku e quajti sot moment turpi njoftimin se 130 emigrantë mendohet të kenë humbur jetën në Mesdhe, ndërkohë që një agjenci e OKB-së akuzoi vendet e ndryshme se nuk iu përgjigjën thirrjeve për ndihmë në det të hapur.

Disa anije transporti dhe një anije bamirësie që kërkonin nëpër Mesdhe për anije me imigrantë gjetën 10 trupa pranë një gomoneje të përmbysur në ujërat ndërkombëtare pranë Libisë, e cila besohet të ketë pasur 130 persona në bord, tha të premten organizata humanitare franceze SOS Mediterranee.

"Ju them se jam shumë i pikëlluar për një tragjedi tjetër në Mesdhe," u tha Papa Françesku qindra njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për bekimin e tij të përjavshëm.

"Ata janë njerëz. Janë jetë njerëzish që për dy ditë të tëra luteshin më kot për ndihmë, një ndihmë që nuk mbërriti kurrë… Është koha për t’u ndjerë të turpëruar," tha ai.

Linja telefonike civile Alarm Phone kishte raportuar se tre anije ishin në rrezik të mërkurën, duke bërë që organizata SOS Mediterranee të niste kërkimet.

Libia, e përçarë prej vitesh nga konflikti civil, është një rrugë kryesore për emigrantët që kërkojnë të arrijnë në Evropë.

Organizata Ndërkombëtare e Migimit, IOM, tha se vdekjet e fundit do ta çonin në 500 numrin e njerëzve që kanë humbur jetën këtë vit nëpër rrugën kryesore të Mesdheut, më shumë se trefishi i vdekjeve për të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG