Lidhje

Vendet baltike kërkojnë më shumë mbështetje nga NATO


Udhëheqësit e vendeve baltike dhe të Polonisë mendojnë se njësitë që NATO-ja planifikon të vendosë në territorin e tyre janë tepër të vogla dhe simbolike për të parandaluar një sulm nga Rusia. Aneksimi nga Rusia i Krimesë në vitin 2014 është ende i freskët në kujtesën e vendeve të ish-bllokut sovjetik.

Vendet baltike dhe Polonia do të përpiqen të bindin vendet e tjera të NATO-s për ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje ajrore ndaj avionëve dhe raketave ruse. Ky do të ishte një hap delikat që Moska do ta dënonte si një provë e mëtejshme e strategjisë së NATO-s për të kërcënuar kufijtë e saj.

Ministri i mbrojtjes i Lituanisë u pyet për mundësinë e një agresioni rus në Baltik.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë e një sulmi pasi kemi parë agresion ndaj disa vendeve të tjera jo anëtare të NATO-s. Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia të testojë solidaritetin e NATO-s. Për këtë arsye duhet të rrisim aftësitë tona dhe gatishmërinë dhe shpresoj që ky vendim të merret në Varshavë,” u përgjigj zoti Olekas.

Lituania, Letonia dhe Estonia e shohin veten në vijën e parë të frontit të një konflikti të mundshëm me Moskën dhe e kanë vendosur ushtrinë e tyre në gjendje gatishmërie.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të bien dakord këtë javë për një forcë të re shumëkombëshe prej 4 mijë trupash në Baltik dhe në Poloni. Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Britania do të vendosin secila batalione prej 1 mijë trupash. Kanadaja mund të dërgojë gjithashtu një batalion të katërt.

Vendet baltike mirëpresin këtë zhvillim të ri, por thonë se duhet bërë edhe më shumë pasi Rusia po zhvillon aftësi bllokuese në zonën e Kaliningradit, në kufi me Lituaninë dhe Poloninë, duke kërcënuar me raketa dhe nëndetëse shtimin e trupave të NATO-s në Baltik. Vendet baltike kërkojnë edhe një mbrojtje më të mirë ajrore.

“Duhet të jemi gati që, nga një praktikë patrullimi ajror, të kalojmë në mbrojtje ajrore. Po diskutojmë për vendosjen e një sistemi mbrojtjeje ajrore në rajon, që do të mbulojë Lituaninë, Letoni, Estoninë dhe Poloninë,” thotë ministri lituanez i mbrojtjes, Juozas Olekas.

Ministri i jashtëm i Lituanisë kërkoi edhe një ndryshim të mënyrës së përballimi të krizave.

“Nëse ndodh diçka nga jashtë NATO-s që kërcënon stabilitetin, kjo nuk mund të përballohet nga një vend i vetëm, si Lituania apo Letonia, por duhet përballuar si një sfidë e përbashkët,” tha zoti Linkevicius.

Megjithëse vendet baltike thonë se njësitë e reja të NATO-s nuk do të jenë të mjaftueshme, NATO e mendon këtë lëvizje që do të miratohet në korrik, si vetëm pjesë e një përpjekje parandaluese ndaj Rusisë, e kombinuar me mbështetjen e forcave të reagimit të shpejtë të NATO-s prej 40 mijë trupash. Nëse ky plan miratohet, Gjermania do të vendosë njësitë e saj në Lituani përpara muajit shtator; Britania pritet të vendosë njësitë e saj në Estoni; Shtetet e Bashkuara në Letoni dhe Kanadaja në Poloni.

XS
SM
MD
LG