Lidhje

Venezuelë, Asambleja kushtetuese e plotfuqishme


Asambleja e sapo krijuar e Venezuelës është deklaruar të ketë fuqi mbi të gjitha degët e tjera të qeverisë, përfshirë kongresin e udhëhequr nga opozita. Por kongresi ka vendosur të mos heqë dorë nga fuqia e tij edhe pse asambleja kërcënon ta zhveshë nga çdo autoritet dhe t’u heqë imunitetin parlamentar ligjvënësve të opozitës.

Detyra kryesore e asamblesë prej 545 anëtarësh është rishkrimi i kushtetutës së vendit. Asambleja e mbushur me përkrahës të presidentit Maduro u zgjodh më 30 korrik në atë që Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur një zgjedhje të turpshme.

Ministri i Jashtëm i Perusë gjatë një takimi që zhvilloi dje me homologët e tij latinoamerikanë në Lima deklaroi se Venezuela tashmë është nën sundimin e një personi.

Rruga e dukshme e Venezuelës drejt izolimit vjen në një moment kur Kombet e Bashkuara publikuan një raporti paraprak që konstaton se forcat e sigurisë në Venezuelë përdorën forcën, duke vrarë dhjetëra njerëz dhe arrestuar qindra të tjerë.

"Jemi të shqetësuar se gjendja në Venezuelë është duke u përshkallëzuar dhe këto modele të shkeljeve të të drejtave të njeriut nuk po tregojnë shenja zhdukjeje. Jemi të shqetësuar për drejtimin në të cilin po shkon vendi ndaj dhe po publikojmë këto gjetje paraprake. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë dhe të gjitha palëve që të marrin masa për të qetësuar situatën", tha Rivana Shamdasani zëdhënësja e zyrës për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara.

Presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro ka thënë se asambleja e re do të rivendosë paqen dhe stabilitetin në vend.

Vendi po vuan problemet e mëdha ekonomike që kanë detyruar me mijëra njerëz të kalojnë kufirin drejt Kolumbisë fqinjë për të siguruar nevojat e tyre minimale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG