Lidhje

Venezuelë, rënia ekonomike mund të lehtësojë ndryshimin e politikave socialiste


Rënia ekonomike e Venezuelës, një vend i pasur me naftë, mund t’ia lehtësojë udhëheqësit të opozitës përpjekjet për të ndryshuar politikat socialiste të vendosura nga ish-presidenti Hugo Chavez, nëse ai është në gjendje të rrëzojë nga pushteti presidentin Nikolas Maduro. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton se duke marrë parasysh diskreditimin e modelit socialist të vendit, udhëheqja e re e Venezuelës, aleate me Shtetet e Bashkuara, pritet të përqafojë reforma të thella të një ekonomie të tregut.

Në pesë vitet e fundit, ekonomia shtetërore e Venezuelës është tkurrur gati 50 për qind.

Hiperinflacioni po trefishon çmimet e mallrave çdo muaj dhe ka shkaktuar largimin e miliona njerëzve jashtë vendit për t’i shpëtuar varfërisë në rritje.

Mungesat kronike të ushqimit dhe ilaçeve kanë goditur rëndë programet e ndihmave për të varfërit, të krijuara nga ish presidenti Hugo Chavez dhe të vazhduara nga pasardhësi i tij, Nicolas Maduro.

Duke marrë parasysh pakënaqësitë në rritje, madje edhe në mesin e grupit të mbështetësve "Çavista", pritet që populli venezuelian të jetë gati për ndryshim.

"Për shkak se banorët e Venezuelës kanë vuajtur kaq shumë, ata do të jenë të gatshëm t’i japin një mbështetje të madhe politike udhëheqjes së re për të bërë të gjitha këto ndryshime", thotë Dany Behar nga Instituti Brookings.

Kjo mund të ndodhë, nëse opozita arrinë ta rrëzojë Maduron, pasi ai ndaloi pjesëmarrjen e kundërshtarëve në zgjedhjet e vitit të kaluar. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë njohur Juan Guaido, presidentin e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, si udhëheqës të përkohshëm të vendit.

Një qeveri aleate e Shteteve të Bashkuara në Karakas ka të ngjarë të pranojë ndihmën ndërkombëtare që zoti Maduro po e bllokon, së bashku me huatë, në këmbim të privatizimit të industrive të kontrolluara nga shteti dhe uljen e subvencioneve qeveritare.

Luftimi i inflacionit përmes shkurtimit të programeve sociale dhe heqjes së mekanizmit të kontrollit të çmimeve ka të ngjarë të jetë përparësia kryesore, një lëvizje që ekonomistët thonë se në fakt mund të ndihmojnë të varfërit duke lejuar funksionimin e një ekonomie të tregut të lirë.

Monica de Bolle, Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare

"Kur lëvizni nga inflacioni shumë i lartë në inflacion të ulët, gjëja e parë që shihni është një reduktim dramatik të nivelit të varfërisë", thotë Monica de Bolle nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.

Privatizimi i kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit në Venezuelë, PDVSA, mund të rrisë në masë të madhe të ardhurat, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara do të lehtësonin sanksionet ndaj naftës. Kompania ka parë rënie të prodhimit me një nivel prej dy të tretave në dekadën e fundit, për shkak të një infrastrukture të shkatërruar dhe keqmenaxhimit të brëndshëm.

Monica de Bolle, Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare

"Këto janë gjëra që në parim mund të zbatohen relativisht shpejt për Venezuelën, në mënyrë që vendi të rifillojë prodhimin e naftës ose të paktën, të rikthejë nivelin e mëparshëm të prodhimit të naftës".

Qeveria e ardhshme e Venezuelës ka gjasa të kërkojë ristrukturimin e borxheve të saj ndaj kreditorëve si Kina dhe Rusia dhe t’i jap fund dërgesave falas me rreth 50,000 fuçi nafte në ditë, në Kubë, dhe tek aleatët kyç të Maduros.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG