Lidhje

Venezuelë vazhdojnë trazirat pas protestave


Në Venezuelë vazhdojnë trazirat pas protestave që kanë për qëllim largimin e Presidentit Nikolas Maduro. Grabitjet dhe dhuna sporadike vazhduan gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe qëlloi me plumba gome për të dytën ditë me radhë, në një përpjekje për të shpërndarë mijëra protestues që ndodheshin në një nga autostradat kryesore të Karakasit. Nga ana tjetër protestuesit me maska në fytyrë, hidhin gurë dhe shishe me benzinë në drejtim të policisë.

Protestuesit u shprehën të vendosur të vazhdojnë fushatën e tyre për të rrëzuar presidentin Maduro. Gjatë tre javëve të fundit të protestave të dhunshme, tetë vetë kanë humbur jetën, tre prej tyre vetëm të mërkurën.

Protestuesit i vunë zjarrin kazanëve të plehrave dhe përdorën çfarë gjenin në rrugë për të ngritur barrikada, ndërsa policia përpiqej t’i shpërndante duke përdorur pompat e ujit.

Përleshjet kanë shpërthyer edhe në qytetin perëndimor të San Kristobalit, në atë Marakaibos në veriperëndim dhe në Valencia në Venezuelën qendrore.

Opozita bëri thirrje për protesta të reja. Nesër pritet zhvillimi në të gjithë vendin i asaj që opozita e cilësoi "marshimi i heshtjes" ndërsa të hënën u paralajmërua bllokimi i të gjitha rrugëve kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG