Lidhje

Operacion masiv antikanabis në Veri


Mbi 400 forca të policore, të ndihmuara dhe nga njësitë speciale dhe helikopterë po ndërhyjnë në zonën e Dukagjinit. Më shumë se 4 mijë rrënjë cannabis sativa janë asgjësuar

Në Shqipëri, policia nisi sot një tjetër operacion masiv për shkatërrimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në Veri të Shqipërisë. Operacioni i sotëm është përqendruar në dy prej ish komunave malore të Dukagjinit, në atë të Planit dhe atë të Pultit, dhë në të janë angazhuar të paktën 400 forca policore e 60 automjete. Për shkak të vështirësive të shumta të terrenit malor dhe sigurisë së tyre, në operacion janë përfshirë edhe forcat speciale të policisë “Renea” si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa nga ajri po jepet mbështetje me 2 helikopterë, që transportojnë trupat “Renea” drejt zonave më të vështira.

Gjatë paradites së sotme, forcat e policisë arritën të asgjësojnë me djegje 109 parcela me 11 450 rrënjë të bimës narkotike cannabis sativa, ndërkohë që operacioni është në vazhdim e sipër në zonën e Pultit, Gjurës dhe Temalit.

Ky është operacioni i dytë masiv antidrogë që policia shqiptare ka ndërmarrë , gjatë javëve të fundit, në zonën malore të Dukagjinit, ku mendohet se gjendet edhe numri më i madh i parcelave të mbjella me bimë narkotike në zonën Veriore të Shqipërisë.

Në operacionin e parë masiv antidrogë, që nisi me 8 gusht të po këtij viti, dhe që u përqendrua në ish komunat malore të Shalës e Shoshit në Dukagjin, policia asgjësoi më shumë se 250 parcela me rreth 35 mijë bimë narkotike. 224 prej këtyre parcelave ishin identifikuar më parë përmes ajrit, me ndihmën e helikopterëve të specializuar të policisë italiane.

Operacionet antikanabis në zonën e Dukagjinit paraqesin shkallë të lartë vështirësie për policinë për shkak të terrenit tepër malor dhe të pyllëzuar, shtrirjes së madhe të territorit ku kultivohen bimët narkotike, por edhe largësisë së tyre nga zonat e banuara. Shumica e parcelave të drogës gjenden në toka pa pronar, çka e ka vështirësuar punën e policisë për identifikimin dhe arrestimin e kultivuesve të drogës.

Vitin e kaluar, gjatë operacioni të ngjashëm me atë që po zhvillohet në zonën e Dukagjinit, forcat e policisë u goditën me armë nga një grup i armatosur, i cili qëlloi edhe një prej helikopterëve të përfshirë në operacion, duke e dëmtuar dhe shtyrë të bëjë zbritje të detyruar.

Që nga fillimi i këtij viti, në tre rrethet e Qarkut të Shkodrës; në Pukë, Malësi të Madhe dhe Shkodër, forcat e policisë kanë shkatërruar rreth 1000 parcela me bimë narkotike, duke shkatërruar me djegje më shumë se 140 mijë bimë narkotike, çka vazhdon ta renditë edhe këtë vit Qarkun e Shkodrës në krye të zonave, që vazhdojnë të kultivojnë bimët narkotike në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG