Lidhje

Vëzhguesit: Aktiviteti i KQZ i paplotë


Publikohet raporti i dytë i vëzhguesve vendorë. Shqetësim për klimën e tensionuar politike dhe një seri shkeljesh të afateve dhe detyrimeve të përcaktuara nga Kodi zgjedhor

Në Shqipëri koalicioni i vëzhguesve vendor tha sot se megjithë përpjekjet e saj për të funksionuar normalisht vetëm me katër anëtarë, veprimtaria e Komisonit Qëndror të Zgjedhjeve është e paplotë. Koalicioni publikoi sot raportin e dytë mbi ecurinë e procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit ku ngre shqetësime për një sërë aspektesh, që nga klima e acaruar politike te shkeljet dhe mosrespektimi i mjaft detyrimeve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

Raporti i dytë i vëzhguesve vendorë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Raporti i koalicionit të vëzhguesve vendor nuk ofron një panoramë rozë për ecurinë e deritanishme të procesit të përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit. Duke marrë në analizë të gjithë aspektet politike dhe juridike që lidhen me këtë fazë, raporti vëren, sic ka ndodhur edhe më parë, një situatë të acaruar mes partive: “Fushata elektorale zyrtare po nis në një klimë të lartë polarizimi midis dy koalicioneve të mëdha të opozitës dhe mazhorancës, në një situatë të thelluar mosbesimi midis dy partive kryesore dhe me një KQZ të cunguar dhe funksionim jo-normal të saj”.

Raporti i kushton vëmendje të vecantë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, institucioni përgjegjës për të gjithë procesin zgjedhor, i cili që prej më shumë se një muaji po funksionon pa të gjithë anëtarët. Tre prej tyre dhanë dorëheqjen pas vendimit të shumicës për të zvëndësuar në mesin e muajit të kaluar anëtarin e propozuar nga Lëvizja socialiste për Integrim. “Megjithë përpjekjen e KQZ-së për të funksionuar normalisht, megjithëse vetëm me 4 anëtarë, konstatohet se në tërësi veprimtaria e deritanishme e KQZ-së në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor, është e paplotë dhe vendimmarrja e saj nuk e mbulon në mënyrën e duhur sferën e detyrimeve ligjore, të caktuara ndaj saj prej Kodit Zgjedhor", tha Gerta Meta, drejtuese e një prej shoqatave kryesore në Koalicionin e vëzhguesve.

Shqetësim për situatën në Komisionin qëndror ka shprehur dhe komuniteti ndërkombëtar, vecanërisht ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu ndaj të cilit dje kryeministri Sali Berisha përdori tone të ashpra, ndërsa tha se askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër. Kryeministri nuk la asnjë shteg për zgjidhje kompromisi, ndërsa kjo cështje pritet të jetë pjesë e diskutimeve edhe me drejtorin për Europën Qëndrore dhe Jugore në departamentin e Shtetit Nonathan Moore, i cili mbërriti sot në Tiranë.

Vëzhguesit shohin me shqetësim trajtimin nga ana e KQZ të zbatimit të teknologjive në zgjedhjet e 23 qershorit të cilat rrezikojnë seriozisht të mos mund të përdoren: “Në lidhje me zbatimin e teknologjive të reja rezultojnë të pamarra sot e kësaj dite akte shumë të rëndësishme, madje vërehet konfuzion në këtë pikë duke rrezikuar seriozisht zbatimin e tyre në këto zgjedhje”, shkruhet në raport.

Sipas vëzhguesve probleme ka patur edhe në shumë aspekte të tjera të procesit, që nga mosrespektimi i afateve për listat e zgjedhësve, te përdorimi i administratës shtetërore për fushatë, te shkeljet për mos respektimin e kuotave të grave në listat për deputetë. Koalicioni i Vëzhguesve zgjedhor do të angazhohet në mbikqyrjen nga afër të procesit edhe ditën e votimit, krahas mbi 400 vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.
XS
SM
MD
LG