Lidhje

Vëzhguesit ndërkombëtarë thirrje për një proces të qetë


“Institucionet e ngarkuara me zgjedhjet të garantojnë zhvillimin normal të tyre”. Rama dhe Meta thirrje për pjesmarrje masive.

Në Shqipëri drejtuesit e delegacioneve parlamentare të Këshillit të Europës dhe të OSBE-së që do të monitorojnë zgjedhjet,së bashku me koordinatorin special të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Robeto Battelli i bën sot thirrje partive shqiptare dhe institucioneve të ngarkuara me zgjedhjet që të garantojnë zhvillimin normal të tyre. Thirrja vjen në ditën e fundit të fushatës ku të dy kampet do të zhvillojnë në mbrëmje mitingjet përmbyllëse.



Udhëheqësit politik shqiptar u ftuan sot që orët e fundit deri në zgjedhje “t’i përdorin për t’u angazhuar në një proces konstruktiv për të siguruar zhvilimin e papenguar të zgjedhjeve”. Thirrja erdhi nga drejtuesit e misioneve parlamentare të Këshillit të Europës dhe OSBE-së së bashku me koordinatorin special të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së Roberto Battelli i cili do të paraqesë të hënën pasdite dhe raportin e parë të vlerësimit. Një thirrje ju drejtua edhe gjithë anëtarëve të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve që të marrin përsipër detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për një proces të qetë zgjedhor. Në deklaratën e përbashkët thuhet se “institucionet administrative zgjedhore duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga fushata elektorale duke garantuar se vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga partitë politike dhe do të zbatohet nga autoritetet. Kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike”, nënvizojnë drejtuesit e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit, në një përpjekje mesa duket për të parandaluar pësëritjen e ngjarjeve të së shkuarës.

Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore. Drejtuesit e dy forcave kryesore të së majtës, kryetari socialist Edi Rama dhe ai i Lëvizjes socialiste për integrim dolën në një konferencë të përbashkët për t’i bërë thirrje qytetarëve për një pjesmarrje sa më të gjerë në zgjedhje. Zoti Rama nga ana tjetër garantoi se cdo votë e cdo qytetari do të mbrohet: “Partia Socialiste dhe LSI kanë një barrë të posaçme sepse i detyron ligji zgjedhor që të jenë në vijën e parë të administrimit të zgjedhjeve. Ne kemi të gjithë vullnetin e përbashkët që të garantojmë jo votat tona por çdo votë të çdo zgjedhësi shqiptar dhe që të garantojmë një numërim ku çdo subjekt, opozitar në radhë të parë, brenda ose jashtë koalicionit të marrë çdo votë që zgjedhësit i kanë dhënë”.Nga ana e tij zoti Meta i bëri thirrje kryeministrit që të mos bëhet pengesë për një proces normal zgjedhor: "Të dielën, një herë e mirë, Shqipëria ndahet nga qeveritë e zotit Berisha dhe vendos të ecë në një drejtim të ri”

Kryeministri Berisha vazhdoi edhe sot turin nëpër qytete duke kërkuar edhe një herë votën e qytetarëve për partinë e tij: "Pasnesër të zgjedhim numrin 44. Të gjithë shqiptarët përvec mundit dhe djersës së tyre meritojnë dhe fatin më të mirë dhe ky është numri i fatit të mirë”. Demokratët do të mbyllin fushatën në mbrëmje në Tiranë, ndërsa socialistët kanë zgjedhur ta bëjnë këtë njëkohësisht në veri dhe në jug të vendit në dy qytete simbol, në Vlorë dhe në Shkodër.
XS
SM
MD
LG