Lidhje

Shkaqet e rrëzimit të "Virgin Galactic"


Planet për dërgimin e turistëve në hapësirë mund të shtyhen pas shpërthimit të premten të Anijes Hapsinore 2 të kompanisë Virgin Galactic, gjatë një fluturimi provë me pilot në bord. Ky është shpërthimi i dytë brenda dhjetë ditëve i një mjeti hapsinor komercial. Për shumë njerëz, shpërthimi i dy anijeve të hapsirës ka shtuar pikpyetjet rreth së ardhmes së fluturimeve hapsinore komerciale:

“Janë gjetur pothuajse të gjitha pjesët kryesore të mjetit hapsinor që na duhen për të përfunduar hetimet. Disa nga ato pjesë janë vendosur në një depo ku do të hetohen me imtësi. Coprat ishin shpërndanë në një rreze prej 8 kilometrash.”

Christopher Hart, shefi në detyrë i Bordit Kombëtar amerikan për Sigurinë e Transportit, thotë se ende nuk është gjetur shkaku i shpërthimit të mjetit hapsinor të kompanisë Virgin Galactic që la të vdekur njërin nga dy pilotët testues. Ai tha se ka gjasa që një pajisje që ngadalëson rënien në hapsirë, mund të jetë aktivizuar para kohe:

“Rreth 9 sekonda pas ndezjes së motorit, të dhënat telemetrike tregojnë ndryshimin e parametrave të pajisjes për ngadalësimin e humbjes së lartësisë.”

Për aktivizimin e këtij sistemi duhen dy veprime. Piloti i dytë e aktivizoi sistemin, por Hart thotë se veprimi i dytë ndodhi vetvetiu pa u komanduar.

Copërat e anijes hapsinore u shpërndanë në një rreze prej rreth 8 kilometrash në shkretëtirën Mohave të Kalifornisë. Zoti Hart tha se depozitat e lëndës djegëse të Anijes dhe motorat nuk tregonin shenja se kishin pësuar avari:

“Depozitat e lëndës djegëse dhe të agjentit oksidues si dhe motori u gjetën të padëmtuara. Nuk kishte shenja djegieje apo avarie.”

Në konferencën për shtyp, zoti Hart, tha se hetimet po vazhdojnë dhe do të duhen disa muaj para se të gjendet shkaku i shpërthimit të mjetit hapsinor.

SpaceShipTwo u lëshua nga aeroplani i transportit WhiteKnighTwo mengjesin e së premtes në qiellin sipër shkretëtirës. Menjëherë pasi u nda nga avioni i transportit, anija u përplas në tokë. Rreth 800 njerëz kanë rezervuar vende për të fluturuar në orbitë.

Ndërkohë, Korporata e Shkencave Orbitale po heton shkakun e avarisë së mjetit të transportit hapsinor në Ishullin Wallops në Virxhinia. Me një kontratë afro 1.9 miliard dollarë me NASA-n, anija e kompanisë Cygnus, e transportuar nga raketat Antares, kishte një ngarkesë prej më shumë se dy tonësh furnizime ushqimore dhe pajisje për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Gjithshka u shkatërrua në shpërthim.

NASA ka një kontratë tjetër me firmën private Space X Corporation. Mjeti i saj hapsinor është caktuar të dërgojë mjete në stacionin orbital në muajin dhjetor.

XS
SM
MD
LG