Lidhje

Vlerësimet për Whitney Houston


Vlerësimet për Whitney Houston
Vlerësimet për Whitney Houston

Whitney Houston, e cila vdiq më 11 shkurt në Beverly Hills, të Kalifornisë, po kujtohet në mbarë globin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Doug Levine i hedh një vështrim ngritjes së saj në statusin e një ylli dhe këngëve që e bënë atë një nga divat më të shquara të muzikës pop.

Në të gjitha arritjet e mëdha të Whitney Houston-it, përfshi më shumë se 400 çmime të karrierës, më mbresëlënëse ishte rekordi i saj me shtatë këngë të njëpasnjëshme, që zunë vendin e parë në klasifikimin amerikan të 100 këngëve më të mira sipas revistës Billboard. Ajo theu rekordin e mëparshëm me gjashtë këngë të vendosur nga The Bee Gees dhe The Beatles.

Vargu i këngëve filloi më 26 tetor të vitit 1985 me atë që fitoi çmimin Grammy - “Saving All My Love For You,” dhe përfundoi në 23 prill të vitit 1988 me baladën R&B “Where Do Broken Hearts Go.” Kjo ishte e katërta e albumit të saj “Whitney” që radhitej në vendin e parë, gjithashtu një rekord për një artiste. Ajo shiti më shumë se 170 million albume në mbarë botën dhe regjistroi këngë për një nga kolonat zanore më të shitura në të gjitha kohërat në filmin, “The Bodyguard.”

Whitney Houston ishte vajza e një këngëtareje të famshme të muzikës kishtare Cissy Houston dhe lindi në Newark të New Jerseyt. Dionne Warwick ishte kushërira e saj dhe Aretha Franklin ndrikulla e saj. Whitney filloi të këndojë muzikë fetare dhe të luante në piano në kishën ku shtonte e ëma dhe ndonjëherë interpretonte së bashku me të në klube nate. Në moshën 15 vjecare ajo këndoi me Chaka Khan “I’m Every Woman,” një këngë që do ta interpretonte më vonë në albumin “The Bodyguard”. Zëri i saj me një diapazon të u bë i njohur dhe e çoi atë tek Clive Davis presidenti i kompanisë Arista Records.

Whitney nënshkroi kontratë me kompaninë Arista në vitin 1983 dhe nxorri albumin me emrin e saj dy vjet më vonë. The New York Times e quajti përpjekjen e saj të parë, “një shfaqje mbresëlënëse nga një talent i veçantë vokal.” Ajo vazhdoi të marrë vlerësime të ngjashme edhe për albumet që pasuan, ndërsa rritja e bazës së admiruesve të saj e çoi atë në nivelin e një interpretuese të shkallës botërore. Ajo kaloi në aktrim me role në filmat “The Bodyguard,” “Waiting To Exhale,” dhe “The Preacher’s Wife.” Në vitin 1998, ajo nxori albumin më të shumllojshëm muzikor të titulluar, “My Love Is Your Love.” Kënga me këtë titull ishte e treta që zinte vendin e parë në klasifikim.

Dhjetë vitet e fundit ishin të mbushura me ngritje e zbritje. Ndërsa kontrata e saj me Arista Records u rinovua për 100-milion dollarë, shitjet e albumeve filluan të bien. Martesa e saj 14 vjecare me këngëtarin Bobby Brown përfundoi në vitin 2007, ajo anuloi koncerte dhe intervista ndërsa u shtuan dyshimet për përdorimin e drogave. Në maj të vitit 2011, ajo hyri në klinikën rehabilituese për probleme të drogës dhe alkoolit. Albumi i saj i fundit “I Look To You,” u shit në më shumë se dy milion kopje dhe arriti në vendin e parë në vitin 2009.

Vdekja e Whitney Houstonit nxiti reagime në mbarë botën. Artistët e mbledhur në Los Angeles për ceremoninë e 54 të çmimeve Grammy folën me nota të larta për influencën dhe kontributin e saj në muzikë. Mariah Carey tha, “ajo asnjëherë nuk do të harrohet si një nga zërat më të mëdhenj ndonjëherë në botë.” Ndërsa Tony Bennett, i cili i dedikoi asaj një këngë në mbrëmjen para ceremonisë tha, “Kur e dëgjova për herë të parë telefonova Clive Davis dhe i thashë, ‘Më në fund ke gjetur këngëtaren më të mirë që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time.’”

XS
SM
MD
LG