Lidhje

FIFA organizon turne për fëmijët nga zona të luftës dhe varfërisë


FIFA organizon turne për fëmijët nga zona të luftës dhe varfërisë
FIFA organizon turne për fëmijët nga zona të luftës dhe varfërisë

Ndërsa po numërohen orët e fundit të Botërorit në Afrikën e Jugut, një tjetër turne futbolli po zhvillohet në lagjen e varfër Alexandra, në verilindje të Johanesburgut.

Një skuadër e djemve dhe vajzave izraelitë dhe palestinezë, që mban emrin Skuadra e Paqes, po luan kundër një ekipi nga Ruanda, të quajtur Skuadra Shpresa. Ky takim po zhvillohet në kuadër të turneut “Futboll për Shpresë”.

Pjesëmarrësit u përkasin komuniteteve të prekura nga luftërat dhe varfëria. Ka skuadra nga Sierra Leoni, Kamboxhia, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, madje edhe nga Australia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Nuk ka gjyqtarë në këtë turne. Lojtarët duhet t’i përcaktojnë vetë ndërhyrjet e palejueshme ose parregullsitë e tjera.

Ndeshjet kanë tërhequr tifozë nga kjo lagje me probleme social-ekonomike për të nxitur shpresë dhe ndryshime shoqërore.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA – është sponsorizuese e programit, në bashkëpunim me 50 organizata nga shoqëria civile. Federiko Adjeki është kreu i programit të FIFA-s për përkushtim shoqëror. Ai thotë:

“Qëllimi i turneut ‘Futboll për Shpresë’ është përdorimi i fuqisë që ka loja e futbollit për të tejkaluar sfidat shoqërore në mbarë botën. Është një lëvizje që nisi në vitin 2005 dhe që synonte zgjidhjen e këtyre sfidave shoqërore duke dhënë kontribut konkret përmes lojës së futbollit.”

Programi synon të nxisë ndërgjegjësimin për tema si shëndeti dhe të drejtat e fëmijëve, ndërtimi i paqes, diskriminimi, SIDA dhe mjedisi.

18-vjeçari Sello Mahlangu është trajner i skuadrës së Aleksandras, e cila është mikpritëse e këtij turneu. Ai jeton në Aleksandra me të ëmën dhe tre vëllezër e motra dhe u angazhua në turne si vullnetar.

“Kjo ngjarje ka qenë me rëndësi për mua. Kam shkuar në shumë vende; kam dhënë shumë intervista. Më ka dhënë mundësinë të tregoj potencialin tim. Andaj kjo ngjarje më ka sjellë gëzim, më ka sjellë gjithçka.” - thotë ai

Ky është turneu i parë që FIFA ka organizuar në kuadër të programit “Futboll për Shpresë”. Zoti Adjeki thotë se do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen sepse FIFA do që çdo Botëror të kujtohet për të mirë:

“Lëvizja ‘Futboll për Paqe’ është veprimtari jona e përhershme. Është pjesë e përkushtimit tonë shoqëror dhe ka pesë vjet që vepron. Dhe do të vazhdojë edhe pas 2010-ës e madje edhe pas vitit 2014.”

FIFA është zotuar të ndërtojë sivjet në mbarë Afrikën 20 qendra të “Futbollit për Shpresë”. Zoti Adjeki thotë se federata ndërkombëtare do të dëshmojë se futbolli ka fuqi t’i bashkojë komunitetet dhe të përmirësojë jetët e njerëzve, që fati iu ka prirë më pak.

XS
SM
MD
LG