Lidhje

Afganistan: Vizita e presidentit Karzai në SHBA, nën vështrimin e analistëve


Analistët në Afganistan mendojnë se vizita e Presidentit Karzai në Washington gjatë javës së ardhshme, do të jetë një shenjë shumë e rëndësishme e mbështetjes amerikane ndaj udhëheqësit afgan.
Vizita e presidentit Afgan Hamid Karzai në Washington, vjen pas një shkëmbimi mediatik fjalësh, ku të dyja palët akuzuan njëra tjetrën për mungesë sinqeriteti në bashkëpunimin midis tyre.

Presidenti Karzai akuzon vendet perëndimore se janë përpjekur të manipulojnë zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Zyrtarët amerikanë e quajtën këtë koment shqetësues. Gjatë kësaj periudhe, zëdhënësi i presidentit Obama, refuzoi ta quante Presidentitin Karzai aleat të Amerikës, por insistoi t’a quante atë thjesht “udhëheqësi afgan i zgjedhur në mënyrë demokratike.”
Akmal Daui, anëtar i një grupi që merret me monitorimin e të drejtave në Afganistan, me bazë në Kabul, tha se kjo vizitë është shumë e rëndësishme për Presidentin Karzai, i cili do të përpiqet të riparojë marrëdhëniet midis Kabulit dhe Washingtonit. Ai thotë:

"Forcat amerikane po luftojnë çdo ditë për të mbrojtur qeverinë e tij nga Talibanët. Fondet e Kombeve të Bashkura po derdhen për qeverinë e presidentit Karzai, duke i dhënë qeverisë së tij një legjitimitet të shtirur.”

Zoti Daui thotë se populli po e injoron atë që ai e quan një dramë të ekzagjeruar midis Presidentit Karzai dhe Amerikës. Ai tha se popullsia civile afgane që nga Kandahari e deri në Kabul kanë gjëra shumë më të rëndësishme në mendjet e tyre.

"Situata po keqësohet nga dita në ditë. Njerëzit po vdesin, dhe korrupsioni po përhapet. Qeverisja e keqe shihet kudo. Pra çfarë ka ndryshur për një person të thjeshtë që të besojë se ka një udhëheqës të pavarur, apo se Washingtoni ka ndryshuar mënyrën e bashkëpunimit me Presidentin Karzai?”

Në fund të marsit Presidenti Obama bëri vizitën e tij të parë në Afganistan si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.
Gjatë vizitës 6 orëshe Presidenti Obama përgëzoi Zotin Karzai për përpjekjet e tij në fushën e sigurisë, por ai tha se duhet më shumë punë për të luftuar korrupsionin.

Harun Mir, Drejtori i Qendrës Kërkimore dhe i studimeve politike Afgane, tha se Presidenti Karzai duhet të pregatitet të flasë mbi problemin e korrupsionit, gjatë bisedimeve me Presidentin Obama:

"Ai është kritikuar mbi mënyrën e qeverisjes jo vetëm nga qeveria amerikane pasi ka edhe kritika lokale nga afganët. Ai duhet të bëjë patjetër diçka për të luftuar korrupsionin.”

Zoti Mir tha se dy udhëheqësit do të diskutojnë mbi operacioniet ushtarake në provincën e Kandaharit, ndërkohë që forcat e NATOs dhe ato Afgane po luftojnë kundër njërës prej bazave më të forta Talebane atje .

Gjithashtu ai mendon se Amerika duhet të presë mundësinë e një kërkese nga Presidenti Karzai për me tepër fonde, në mënyrë që të ekzekutojë planin paqeruajtës lokal, sidomos tani që së shpejti në fund të majit, ai do të drejtojë një takim me kryertarët e fiseve të ndryshme afgane.

"Ai ka nevojë për më tepër para, dhe fondet vijnë nga Amerika dhe nga vende të tjera perëndimore. Pra, shumë do të varet nga ky udhëtim në Washington.”

Daoud Sultanzoy është anëtar i Parlamentit Afgan. Ai mendon se paqja e vendosur në këshillin e kryetarëve fisnorë dhe përkrahja amerikane mund të dështojnë nëse afganët gjejnë më shumë mbështetje atje se në insitucionet qeveritare.
"Si pjestar i fisit Pashtu, unë mund të them me bindje se këshillat fisnore kanë vendin e tyre. Por me ekzistencën e istitucioneve të reja të sapo krijuara, nuk ka kuptim që të çorientojmë njerëzit me struktura paralele e që nuk kanë asnjë bazë ligjore.” - thotë ai

Së fundi, të gjithë analistët janë dakort se populli afgan është i ngopur me retorika, e se tani ka nevojë të shohë rezultate dhe ndryshime pozitive në jetën e tij.


XS
SM
MD
LG