Lidhje

Basketbollisti Collins shpall homoseksualitetin


Një lojtar i NBA-it është bërë sportisti i parë që luan ende me një skuadër profesioniste në një nga sportet kryesore amerikane që bën publik faktin se është homoseksual.

Basketbollisti Jason Collins, i cili ka luajtur 11 sezone në NBA, zbuloi se është homoseksual në artikullin e kopertinës për numrin e kësaj jave të revistës “Sports Illustrated”.

Ai shkroi se nuk kishte planifikuar "të ishte atleti i parë haptazi homoseksual që luante me një skuadër profesioniste në një nga sportet kryesore amerikane ", por se ishte "i lumtur të fillonte bisedën mbi këtë çështje".

Komisioneri i NBA-it David Stern e vlerësoi 34-vjeçarin Collins, duke thënë se "Jason ka qenë një lojtar dhe shok skuadre gjerësisht i respektuar gjatë gjithë karrierës së tij dhe ne jemi krenarë që ai ka marrë rol udhëheqës në këtë çështje shumë të rëndësishme."

Jason Collins ka luajtur sezonin e kaluar me skuadrat Boston Celtics e Washington Wizards dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur gjithsej për gjashtë skuadra të NBA-it.
XS
SM
MD
LG