Lidhje

Pensilvani, debatohet ligji mbi kartat e identiteti për votuesit


Në një gjykatë në shtetin e Pensilvanisë po zhvillohet një betejë mbi ligjin e dokumentave të identifikimit të votuesve e cila është cilësuar si një betejë paralele mes demokratëve dhe republikanëve. Gjykata e Lartë e Pensilvanisë i ka kërkuar një gjykate më të ulët të rishqyrtojë vendimin e saj në mbështetje të ligjit. Ligjvënësit republikanë në mbarë shtetin janë hedhur në mbështetje të këtij ligji për të cilin ata thonë se do të shmangë manipulimin e votave. Demokratët kanë thënë se ligji është një përpjekje për pengimin e votuesve të pakicave. Jeff Swicord sjell hollësi.

Kjo është zyra kryesore e kartave të identitetit për votuesit në Pensilvani.

Vullnetarët janë mbledhur një të shtunë në mëngjes. Ata do të shpërndajnë në lagjet e Filadelfias fletushka me informacion mbi kartat e reja të identitetit për votuesit në Pensilvani.

Ligji i paraqitur nga republikanët kërkon që votuesit të pajisen me karta identiteti me fotografi të miratuara nga shteti. Por më shumë se 700 mijë votues mund të mos disponojnë karta të tilla. Bob Previdi është anëtar i Koalicionit Jo-partiak të Votuesve në Pensilvani.

“Ne mendojmë se shumë njerëz do të jenë të befasuar kur të shkojnë për të votuar këtë vit. Po përpiqemi të paralajmërojmë sa më shumë njerëz që të pajisen me kartat e identitetit të votuesve”.

Kritikët thonë se ligji është një përpjekje e maskuar për t’i hequr të drejtën e votës pakicave që kanë votuar për presidentin Obama më 2008. Charles Warner është votues nga Filadelfia.

“Shumë afrikano-amerikanë nuk kanë karta identiteti. Edhe një pjesë e hispanikëve nuk janë të pajisura me karta identiteti. Ata nuk duan që presidenti Obama të qëndrojë në pushtet”.

Zyrtarët republikanë të shtetit nuk e pranuan kërkesën e Zërit të Amerikës për intervistë. Ata thonë se ligji është i nevojshëm për parandalimin e manipulimit të votave.
Demokratja Stephanie Singer është kryetare e zyrës së Komisionerëve të Qytetit, e cila mbikqyr zgjedhjet në Filadelfia. Ajo nuk është dakord me republikanët.

“Qëllimi i ligjit është pengimi e votave të grupeve të caktuara. Dhe për të fituar kundër këtij ligji këto grupe njerëzish duhet të votojnë”.

Që nga viti 2008, më shumë se 30 shtete kanë shqyrtuar ligjet për pajisjen e votuesve me karta identiteti. Benjamin Todd Jealous është president i Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë.

“Për herë të parë në historinë e Amerikës janë thyer pengesat në Shtëpinë e Bardhë, dhe zgjedhjet e fundit presidenciale kanë qenë më gjithëpërfshirëse se kurrë më parë. Duke marrë parasysh historinë, nuk duhet të befasohemi që tani po përballemi me një valë përpjekjesh për të bllokuar votuesit që ka për qëllim eliminimin dhjetëra mijëra votave”.

Përkrahësit e ligjit thonë se ai ka mbështetje të madhe nga demokratët dhe republikanët. Justin Danhof punon për organizatën konservatore Qendra Kombëtare për Studimin e Politikave Publike.

“Xhorxhia dhe Indiana kishin në fuqi të njejtin ligj për kartat e identitetit në zgjedhjet e fundit dhe atje kishte rritje të pjesëmarrjes në votime të të njëjtave grupe votuesish, për të cilët shoqata të caktuar të majta menduan se do të ndodhte e kundërta”.

Këta kundërshtarë të ligjit duhet të presin deri më 2 tetor për vendimin e gjykatës së rangut më të ulët i cili do të vendosë nëse votuesit kanë mjaft kohë për t’u pajisur me kartat e identitetit para zgjedhjeve të 6 nëntorit.
XS
SM
MD
LG