Lidhje

Rezultatet e para: Partia e Pres. Macron fiton shumicën absolute


Megjithë pjesëmarrjen e ulët në votime, Partia e Presidentit Emmanuel Macron ka siguruar fitoren absolute në zgjedhjet presidenciale, sipas rezultateve të para.

Partia Republika në Lëvizje mendohet se ka marrë nga 355-425 nga të 577 vendet në parlament, duke i dhënë mundësi presidentit të ri të vërë në zbatim reformat e premtuara për forcimin e ligjeve të punësimit dhe për të gjallëruar sistemin e sigurimeve sociale.

Këto zgjedhje shiheshin si një mundësi që Franca të përjetonte ndryshime madhore politike që po krahasohen madje me përmbysjet e mëdha demokratike të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.

Francezët iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri të vendit. Votimet mendohet se do t’i japin një fitore vendimtare partisë së qendrës të Presidentit Emmanuel Macron duke përmbushur kështu edhe procesin e ndryshimit të plotë të skenës politike franceze.

Pritet që forca e tij politike, “Republika në Lëvizje”, të marrë të paktën 400 nga 577 vende në parlament, duke i mundësuar kështu edhe zbatimin e reformave të premtuara, si p.sh. për ligjet e ashpra franceze të punës, apo sistemin e vjetëruar të sigurimeve shoqërore.

Francezët dolën të pakënaqur dhe pesimistë pas pesë vitesh qeverisjeje të Partisë Socialiste dhe nën drejtimin e ish-Presidentit Francois Hollande, i cili nuk arriti objektivat e uljes së papunësisë apo nxitjes së ekonomisë franceze.

Paraqitja e vendosur e Presidentit të ri Macron në skenën ndërkombëtare mendohet se i ka inkurajuar votuesit francezë për të marrë pjesë në votime me synimin për t’i dhënë atij një shans më të mirë.

Sipas Kryeministrit Edouard Philippe, zoti Macron “personifikon besimin, vullnetin dhe guximin”.

Përbërja e parlamentit të ri pritet të përfaqësojë një gjeneratë të re, me anëtarë më të rinj në moshë, me më shumë gra dhe diversitet etnik.

Ndryshimi erdhi krejt papritur për Francën, pasi vetë zoti Macron ishte pothuajse i panjohur tre vjet më parë dhe fillimisht u mendua se kishte shumë pak shanse për t’u bërë president i vendit. Megjithatë, ai dhe lëvizja e tij politike e krijuar vetëm 15 muaj më parë, arritën të përqafojnë dëshirën e gjerë për ndryshim. Nëse rezulatet reflektojnë pritshmëritë e sondazheve, atëherë mendohet se partitë tradicionale, republikanët dhe socialistët, do të vuajnë pasojat më të mëdha, së bashku me Frontin Kombëtar që po përballet me një zhgënjim të konsiderueshëm të votuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG