Lidhje

Konfirmimi i anëtarit të Gjykatës së Lartë, Neil Gorsuch


Presidenti Donald Trump arriti një fitore të rëndësishme dje kur senatorët, duke votuar kryesisht në përputhje me linjat partiake, miratuan të nominuarin për anëtar të Gjykatës së Lartë, gjykatësin Neil Gorsuch. Por, emërimi i zotit Gorsuch vjen me një çmim politik për Senatin amerikan.

“A ka ndonjë senator që dëshiron ta ndryshojë votën?”, pyeti sallën Nënpresidenti Pence.

Votimi i Senatit për konfirmimin e gjykatësit Gorsuch u njoftua prej tij.

“Më këtë votim me 54 vota pro dhe 45 kundër konfirmohet emërimi i Neil M. Gorsuch, nga shteti Kolorado, si anëtar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Nënpresidenti Pence.

Zoti Gorsuch u miratua me mbështetje të fortë nga republikanët dhe nga tre demokratë.

Ai do të bëjë betimin për të zënë vendin e gjykatësit Antonin Scalia, i cili vdiq vitin e kaluar.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, tha se zoti Gorsuch do të jetë një pasardhës i denjës i zotit Scalia, një simbol i konservatorizmit:

“Ai do t’i shtojë vlerat gjykatës dhe do ta bëjë krenar popullin amerikan.”

Demokratët u përpoqën të bllokonin zotin Gorsuch, një taktikë kjo tradicionale e pakicës për të bllokuar emërimet.

Por, republikanët ndërmorën hapin e pazakontë të ndryshimit të rregullave të Senatit për të shmangur bllokimin për emërimet në Gjykatën e Lartë.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se ndryshimi do ta bëjë Senatin më të ekspozuar ndaj politikës së polarizuar:

“Mendoj se do ta shndërrojë në një entitet më partiak. Do ta nxehë shumë më tepër Senatin që shërben si ftohës i tensioneve. Mendoj se do ta bëjë më partiake edhe Gjykatën e Lartë.”

Demokratët u zemëruan kur republikanët refuzuan të marrin në konsideratë vitin e kaluar të propozuarin e Presidentit Obama, gjykatësin Merrick Garland.

Senatori republikan John McCain mbështeti zotin Gorsuch, por shprehu keqardhje që u desh një ndryshim në rregullat e Senatit për miratimin e tij:

“U them miqve të mi në anën tjetër dhe atyre në këtë anë, se kjo nuk është mënyra se si u mendua të funksiononte Senati!”

Zoti Gorsuch nuk pritet të ndryshojë balancën ideologjike në Gjykatën e Lartë, e cila është aktualisht e ndarë mes konservatorëve dhe liberalëve.

Ndërkohë, republikanët në Senat i dhuruan Presidentit Trump fitoren e tij më të rëndësishme të deritanishme në politikën e brendshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG