Lidhje

Debati presidencial dhe votuesit e rinj


Ndërsa zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara shkojnë drejt fazës finale, kandidatët janë të shqetësuar se një ndjenjë në rritje e apatisë mes një prej grupeve më të fuqishme të votimit – brezi i mijëvjeçarit – mund të rezultojë në një pjesëmarrje më të ulët nga sa tregojnë anketat. Në universitetin Hofstra, 11 kilometra në lindje të qytetit të Nju Jorkut, aty ku do të zhvillohet sonte debati i parë presidencial, studentët shpjegojnë shqetësimet e tyre:

Çdo student i universitetit Hofstra me të cilin flet, të shpjegon rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

“I shoh këto zgjedhje si më të rëndësishmet në historinë moderne amerikane”, thotë Bernie Dennler, student në universitetin Hofstra.

“Mendoj se do të shohim shumë prej tyre të shkojnë në qendrat e votimit pasi kandidatët janë aq të kundërt saqë duhet të zgjedhësh njërin apo tjetrin”, thotë Juliana Spano, studente në universitetin Hofstra.

Në anën tjetër të Long Island-it, kampusi i Nju Jorkut - vendi ku do të zhvillohet debati i parë mes dy kandidatëve, Hillary Clinton dhe Donald Trump – zgjedhjet që po afrohen nuk kanë gjeneruar kurrë kaq shumë zhurmë politike që nga viti 2012, hera e fundit që në këtë universitet u zhvillua debat presidencial në një garë të ngushtë.

Megjithatë pasioni mes studentëve këtu në Hofstra nuk e jep të plotë pasqyrën për votuesit e rinj në kampuset në mbarë vendin. Së bashku ata përfaqësojnë një grup të fuqishëm votuesish, por të parëndësishëm nëse nuk votojnë ditën e zgjedhjeve.

Është një frikë reale mes kandidatëve – veçanërisht e zonjës Clinton, e cila ka parë ngushtimin e epërsisë së saj muajt e fundit mes votuesve të moshës 18-34 vjeç, dhe një numër në rritje të atyre që thonë se do të votojnë për kandidatin e një partie të tretë ose nuk do të votojnë fare.

“Njerëzit do të shkojnë në qendrat e votimit pasi nuk duan që të zgjidhet një kandidat i caktuar, nuk ka entuziazëm. Unë do të votoj që ai ose ajo të mos zgjidhet”, thotë Summer Holmes, studente në universitetin Hofstra.

Është një çështje që profesorët e shkencave politike e kanë diskutuar shumë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Rosanna Perotti thotë se shumë studentë ndjejnë se asnjë nga partitë kryesore nuk i ka dëgjuar shqetësimet e tyre.

“Ata janë më të shqetësuar për ekonominë, dhe për të ardhmen e tyre — për gjendjen e ekonomisë. Ata duan të shohin të bëhet diçka për mjedisin; janë të lodhur me argumentet nëse ngrohja globale është shkaktuar nga njeriu apo jo. Është bota e tyre dhe ajo që do të trashëgojnë ata”, thotë profesorja Rosanna Perotti.

“Ne jemi gjenerata e ardhshme dhe taksapaguesit e ardhshëm dhe nëse nuk kujdesemi, atëherë gjeneratat e ardhshme mund të dështojnë ekonomikisht dhe ndoshta edhe nga ana sociale”, thotë Enoch Lee.

Me vetëm gjashtë javë larg, disa nga votuesit e pavendosur thonë se zgjedhja e tyre në këtë fazë të vonëshme do të jetë për kandidatin që do t’i tërheqe.

“Jam ende e pavendosur. Është e vështirë pasi do të jenë zgjedhjet e para për mua dhe vërtetë shpresoja që do të kishte një kandidat që do të më pëlqente shumë por nuk ka …”, thotë studentja Juliana Spano.

“Dua të vë bast e të shoh çfarë do të bëj Trumpi, por një mendje tjetër më thotë se duhet të zgjedh një kandidat të sigurtë... nuk e di me siguri këtë tani”, thotë studentja Gina Barbara.

Gjatë të tre debateve dhe fazës finale të fushatës, ata që ende presin të marrin një vendim do të shohin jo vetëm për përgjigjet ndaj çështjeve që i ndikojnë ata, por gjithashtu retorikën e kandidatëve dhe si e prezantojnë ata veten në arenën kombëtare.

XS
SM
MD
LG