Lidhje

Maqedoni, vritet kryetari i komunës së Bogovinës


Kryetari i Komunës së Bogovinës, pranë Tetovës, Hazbi Idrizi është vrarë të shtunën në mëngjes pas një zënke me fjalë me një ish të punësuar në komunë. Zënka ka rezultuar në përdorim të armës së zjarrit, ndërkohë që janë njoftuar vetëm inicialet (Q.A.) e të dyshuarit për vrasjen.

Lajmi është konfirmuar për median fillimisht nga burime spitalore në Tetovë, ndërsa autoritetet policore ende nuk kanë dhënë shpjegime mbi motivet e këtij akti. Ndërkohë, bëhet e ditur se edhe vetë personi i dyshuar për vrasjen, i cili menjëherë më pas kishte tentuar të vetëvritej duke qëlluar veten me një plumb në kokë, ishte dërguar me urgjencë në spitalin e Shkupit, por ai nuk i ka mbijetuar përpjekjeve për t'i shpëtuar jetën.

Zoti Idrizi ishte kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe drejtonte komunën rurale në veriperëndim të Maqedonisë që nga viti 2013.

BDI ka reaguar duke shprehur tronditjen e thellë për anëtarin e saj, “i cili u vra gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare në shërbim të qytetarëve”, thuhet në komunikatë. Partia u bën thirrje institucioneve përkatëse që “t’i zbardhin motivet e vrasjes makabre të pa provokuar në asnjë mënyrë”, thuhet më tej në komunikatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG