Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç siguroi publikun të dielën, një ditë pas zbulimit të një sasie armatimesh të fshehura pranë shtëpisë së tij, gjë që e detyroi policinë të evakuonte kryeministrin së bashku me familjen e tij.
Armatimet, granata dore, një raketë lëshues portativ, një pushkë snajper dhe municione, u gjetën të fshehura në shkurre pranë një kryqëzimi ku autokolona e kryeministrit e ul shpejtësinë ndërsa i drejtohet shtëpisë së tij.
Kryeministri tha se gjetja e armëve nuk duhet cilësuar si përpjekje për atentat.
“Problemi i vetëm që kam parë është se rojet e mia personale, njerëzit që u besoj më së shumti, më kanë thënë se ishte vendi ideal. Nëse dikush i ka lënë armët atje aksidentalisht apo jo, nuk e di. Siç më kanë thënë, ky ishte vendi ideal për të kryer një gjë të tillë. Supozoj se dikush la diçka aty në mënyrë aksidentale.”
Serbia është e mbushur me armë të paligjshme të mbetura nga luftrat ballkanike të viteve 90-të dhe nuk është e pazakontë që njerëzit të hedhin municionet për të shmangur problemet me policinë.
Kryeministri serb tha të dielën se analizat e ADN-së mund të tregojnë nëse municionet kanë lidhje me diçka më të rëndë, sukurse kanë sugjeruar zyrtarë të lartë të qeverisë.
Zbulimi i së shtunës ndodh 13 vjet pas atentatit të ish kryeministrit të atëhershëm Zoran Xhinxhiç, i cili u vra me snajper jashtë zyrës së tij në qendër të Beogradit.
Zoti Xhinxhiç ishte kreu i parë qeveritar i zgjedhur në rrugë demokratike në Serbi që nga rrëzimi i udhëheqësit nacionalist Slobodan Milosevic, i cili vdiq më pas në burg ndërsa po gjykohej për krime lufte në Ballkan.