Lidhje

Kryeministrat Vuçiç dhe Rama komentojnë për vizitën e ardhshme


Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se pret që vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama të shkojë mirë dhe të shfrytëzohet për çuarjen përpara të çështjeve ekonomike dhe interesave të tjera të përbashkëta.
Zoti Vuçiç tha se “me shtyrjen e vizitës ka mbrojtur interesat e vendit". Serbia, tha ai, "dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon, sepse çdo destabilizim dëmton më shumë Serbinë.” Shumë njerëz, tha Kryeministri Vuçiç, “do të dëshironin ta shkatërojnë Serbinë përmes destabilizimit të situatës”.
Zoti Vuçiç tha se Serbia mbrojti interesat e saj kur deklaroi se "ju nuk mund të vini në Beograd të flisni dhe të bëni çfarë të doni, kur e keni shkaktuar vetë incidentin”. Ai iu referua njoftimeve se kryeministri i Shqipërisë ka kërkuar që gjatë vizitës në Serbi të marrë një çmim nga qyteti i Beogradit dhe të bëjë një vizitë në luginën e Preshevës.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i tha televizionit APTN se politika nuk mund të përcaktohet nga një ndeshje futbolli dhe nga ajo që ndodh në një stadium. Ai bëri thirrje për të kapërcyer atë që ai e quajti "një të kaluar shumë të dhimbshme." "Paqja është mjaft e brishtë dhe na duhet ta forcojmë e t'i bëjmë marrëdhëniet të besueshme," tha Kryeministri Rama.
Ai tha se "Shqipëria e Madhe" nuk është një projekt shqiptar. "Ne duam një Europë të madhe dhe jo një Shqipëri të madhe", tha kryeministri Rama.
Javën e kaluar, kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë rënë dakord ta shtyjnë takimin mes tyre në Beograd nga 22 tetori, kur ishte planifikuar të mbahej, më 10 nëntor, për shkak të incidenteve që ndodhën në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë e Shqipërisë në Beograd.
XS
SM
MD
LG