Lidhje

Këtë javë në Uashington


Presidenti Barack Obama dhe ligjvënësit amerikanë janë larguar nga Uashingtoni deri në fund të vitit. por qyteti mbetet i përqëndruar në zhvillimet e papara historike në skenën botërore. Kjo javë do të vazhdojë të shoqërohet me debate lidhur me rivendosjet e lidhjeve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës si dhe rolin e dyshuar të Koresë së Veriut në sulmin kibernetik ndaj gjigandit mediatik Sony.

Ndërsa disa azilantë kubanë protestojnë në Majemi, dhe kubanët në ishull shpresojnë për një nxitje ekonomike:

“Do të kemi makina të reja. Besoj se çdo gjë do të ndryshojë – patjetër!”

… Presidenti Raul Castro thotë se rivendosja e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Havanës nuk sinjalizon fundin e komunizmit në Kubë:

“Në të njëjtën mënyrë si ne nuk kemi kërkuar asnjëherë që Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë sistemin e tyre politik, ne do të kërkojmë të respektohet sistemi ynë.”

Komente të tilla konfirmojnë shqetësimet kryesore të kritikëve të presidentit Obama, si ato të senatorit republikan Marco Rubio:

“Angazhimi në vetvete nuk garanton dhe as nuk çon në liri politike. Qeveria kubane kontrollon çdo aspekt të ekonomisë së tyre. Ata synojnë të ndjekin modelin e Vietnamit dhe Kinës ku mund ta rrisin ekonominë, por jo liritë politike. Në fakt ata i shtypin ato.”

Javën e kaluar, zoti Obama u largua për pushime në Havai. Para se të nisej ai mbrojti vendimin për të rindërtuar marrëdhëniet me Kubën:

“Nuk pres ndryshime brenda natës në Kubë, por ajo që jam i sigurt është se nëse kemi bërë të njëjtën gjë për 50 vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar, duhet të provojmë diçka tjetër në se duam rezultat tjetër.”

Ndërkohë, Sony po mbron vendimin e tij për të mos publikuar filmin që vë në lojë udhëheqësin koreanoverior Kim Jong-un. Shefi i kompanisë Sony Pictures Michael Lynton foli për gazetarin Fareed Zakaria në CNN:

“Nuk jemi nënshtruar. Nuk do të dorëzohemi. Gjithmonë kemi dëshirën që publiku amerikan ta shoh këtë film”.

Uashingtoni po bëhet gjithnjë e më alarmant lidhur me dobësinë e Amerikës ndaj sulmeve kibernetike – shqetësimet tani të shtuara pasi zyrtarët federalë arritën në përfundimin se Korea e Veriut ishte pas ndërhyrjes kibernetike në kompaninë Sony;

“Gjëja e parë është të sigurohemi të bëjmë çdo gjë për të forcuar faqet elektronike nga sulme të tilla. Ne do të përgjigjemi ndaj Koresë së Veriut në vendin, kohën dhe mënyrën e duhur.”

Korea e Veriut ka mohuar përfshirje në sulmin ndaj Sony-t. Ky episod së bashku me hapjen e Kubës do të jenë subjekte të debateve intensive në kongres kur ligjvënësit të rikthehen në Uashington në Janar.

XS
SM
MD
LG