Lidhje

Dëshmitari në Charleston: Në fillim desha ta fshija videon nga celulari


Dëshmitari, i cili regjistroi vrasjen e një afrikano-amerikani të paarmatosur nga një polic i bardhë në Charleston të Karolinës së Jugut, tha se në fillim ai kishte menduar ta fshinte videon nga telefoni i tij celular. Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar.

Dëshmitari Feidin Santana i tha rrjetit NBC News se polici Michael Slager "e kishte gjendjen nën kontroll", pasi e kishte vënë poshtë afrikano-amerikanin Walter Scott me armën e tij elektronike.

Polici akuzohet se qëlloi tetë herë ndaj 50-vjeçarit Scott, të cilin e kishte ndalur për shkelje trafiku, sepse po e ngiste makinën me njërin stop të thyer.

Familja e viktimës e ka të vështirë të kuptojë se si mund të ndodhte një vrasje në ato rrethana.

"Nuk mund ta besoj se si një kontroll trafiku të çonte në përdorimin e armës elektronike dhe pastaj në vrasje," thotë i vëllai i viktimës, Anthony.

Ai tha se i vëllai, baba i katër fëmijëve, ishte shtylla e familjes.

Shërbimi funeral do të bëhet të shtunën në Karolinën e Jugut. Dje në Charleston pati protesta, megjithëse polici Michael Slager është pushuar nga puna dhe është akuzuar për vrasje, pas publikimit të videos.

Departamenti amerikan i Drejësisë dhe FBI-ja po hetojnë rreth vrasjes, e cila i ka shtuar kërkesat që policia të mbajë kamera regjistrimi në trup.

Ngjarja në Karolinën e Jugut është rasti më i ri në një seri incidentesh vdekjeprurëse mes meshkujve afrikano-amerikanë dhe policivë të bardhë, duke përfshirë vrasjen e të riut Michael Brown në Ferguson të shtetit Mizuri në gusht të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG