Lidhje

Pasojat e stuhisë së borës në SHBA


Ndërsa pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara po mëkëmbet nga stuhia e fuqishme që solli gati 80 centimetra dëborë në disa vende gjatë fundjavës së kaluar – po dalin shifrat e humbjeve që patën bizneset. Vetëm ekipet e pastrimit të dëborës, apo punonjësit e shërbimeve emergjente, ishin ata që nuk patën humbje nga stuhia. Për shumë biznese, këto janë humbje të parikuperueshme. Por mund të ishte edhe më keq:

Përgjatë bregut lindor gjatë fundjavës – një mbulesë e trashë dëbore... Mijëra biznese u mbyllën, njerëzit nuk shkonin dot në punë, të tjerë nuk mund të bënin pazar…si kjo turiste në vizitën e saj të parë në Nju Jork.

“Po përpiqemi të blejmë diçka, por pothuajse gjithçka është mbyllur. Çdo gjë është e bardhë. S’ka asnjëri. As taksi, asgjë,”- thotë një turist

Llogaritjet paraprake sugjerojnë se stuhia mund t’i ketë kushtuar ekonomisë amerikane gati 3 miliardë dollarë. Më të dëmtuarat ishin bizneset e shitjeve me pakicë.

Presidenti i firmës Planalytics, Scott Bernhardt thotë se stuhia detyroi shumë klientë të shtyjnë planet e udhëtimeve apo të blerjeve, që për disa janë para që nuk kthehen më:

“Përshembull restorantet. Nëse nuk shkove dot të shtunën në restorant, kur të shkosh herën tjetër nuk do të hash dy herë? Pra ato para kanë humbur për biznesit.”

Në një restorant në qendër të Uashingtonit – klientët që vijnë për drekë janë rikthyer. Por menaxherja Joanne thotë se ka humbur të ardhurat e tre ditëve:

"Gjithashtu punonjësit nuk janë të kënaqur që kanë humbur ditët e punës. Ata kanë nevojë për para për të paguar kredinë dhe faturat. ”

Hassan Reza rihapi dyqanin e tij të sanduiçeve menjëherë pas stuhisë por ngaqë shumica e zyrave qeveritare ishin mbyllur – ai thotë se pati vetëm një numër të vogël klientësh.

Ndërsa stuhija venitet – ajo mund të ishte më keq. Por njerëzit nuk duhet të ndihen plotësisht të lehtësuar, thotë Scott Berhardt:

"Dimri nuk ka mbaruar. Kemi ende Shkurtin dhe Marsin. Pra jemi ende në dimër së pari dhe së dyti do të themi – mire që nuk na preku stuhia gjatë javës!"

Bernhardt thotë se koha është gjithçka. Nëse stuhia do të kishte ardhur në mesjavë – analistët thonë se dollarët e humbur mund të kapnin shifrën 10 miliardë dollar humbjeve.

XS
SM
MD
LG