Lidhje

Vendimi i gjykatësit federal bllokon përkohësisht urdhrin ekzekutiv


Një gjykatës federal në shtetin e Uashingtonit vendosi të premten të bllokojë përkohësisht urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndalon hyrjen e udhëtarëve nga shtetë vende me shumicë myslimane. Presidenti amerikan reagoi nëpërmjet Twitterit se vendimi i gjykatësit është “qesharak” dhe se zotohet ta shfuqizojë.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit konfirmoi për Zërin e Amerikës sot se personat me viza të vlefshme do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Disa kompani ajrore të mëdha, duke përfshirë Air France, British Airways dhe Emirates, kanë filluar t'i lejojnë pasagjerët nga shtatë vendet e ndaluara që t'i hipin aeroplanëve të destinuar për në Shtetet e Bashkuara.

Dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare, në përputhje me urdhrin e gjykatësit tha sot se do të ndërpresë ndalimin e udhëtarëve nga disa vende që ishin në qendër të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump.

Gjykatësi federal i Distriktit të Shtetit të Uashingtonit, James Robart, vendosi të premten se shtetet e Uashingtonit dhe të Minesotës kanë të drejtë ligjore për të kundërshtuar urdhërin ekzekutiv të presidentit Donald Trump.

“Gjykata arrin në përfundimin se hyrja e të përshkruarve më sipër është e nevojshme dhe ky është vendimi i shtetit” tha gjykatësi Robart.

Agjencia federale për Mbrojtjen e Kufirit tha se do të veprojnë në përputhje me vendimin.

“Vendimi i gjykatësit Robart hyn në fuqi menjëherë dhe i vë një ndalesë urdhrit jokushtetues dhe të paligjshëm ekzekutiv të presidentit Trump”.

“Në sallën e gjyqit nuk mbizotëron zëri më i lartë, por kushtetuta”, i tha gazetarëve prokurori i përgjithshëm i shtetit të Uashingtonit Bob Ferguson.

Shtëpia e Bardhë më pas të premten lëshoi një deklaratë duke thënë se Departamenti i Drejtësisë “sa më shpejt të jetë e mundur” do të bëjë kërkesë për “një ndalesë emergjente të këtij vendimi revoltues”. Menjëherë paskëtaj, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të dytë pa fjalën “revoltues”. Deklarata gjithashtu mbrojti urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump si “të ligjshëm dhe të përshtatshëm”.

Urdhri ekzekutiv i presidentit, i cili ndalon hyrjen e njerëzve që kanë viza dhe janë nga Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, shkaktoi protesta në aeroportet e qyteteteve të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Zoti Trump thotë se masa është e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e popullit amerikan nga terroristët.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë thonë se më shumë se 100 mijë viza janë anuluar si rezultat i urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump, ndërkohë që Departamenti i Shtetit thonë se ishin më pak se 60 mijë viza që u anuluan.

Qeveria e shtetit të Uashingtonit e bëri kërkesën për sfidën ligjore më parë kësaj jave, dhe shteti i Minesotës iu bashkua padisë. Raste të tjera janë paraqitur në gjykata amerikane dhe aktualisht pritet për vendimet.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG