Lidhje

Uashington, takim mbi sigurinë bërthamore


Takimi i sigurisë bërthamore i organizuar nga Shtëpia e Bardhë këtë javë, për herë të parë do të përfshijë një sesion të posaçëm mbi mënyrat se si të mos lejohet që materialet bërthamore të bien në duart e grupeve terroriste si Shteti Islamik. Ky takim mbahet një herë në dy vjet dhe këtë vit do të mbledhë delegacione nga më shumë se 50 vende që do të diskutojnë mbi evoluimin e kërcënimeve bërthamore dhe mënyrat e minimizimit dhe parandalimit të tyre.

Sulmet terroriste të Brukselit kanë sinjalizuar përsëri rrezikshmërinë dhe fushën e gjërë të veprimit të grupeve si Shteti Islamik.

Ky kërcënim do të trajtohet gjatë një sesioni të posaçëm të Takimit të Sigurisë Bërthamore në Uashington.

Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

"Takimi do të jetë i fokusuar në një kërcënim më të gjerë. Por është e qartë se mundësia që ISIS të ketë qasje në çdo lloj materiali bërthamor është diçka që duhet të shmanget dhe me siguri do të jetë pjesë e diskutimit", tha Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Që nga sulmet e Brukselit, Belgjika ka vënë roje të armatosura në objektet e saj bërthamore.

Por udhëheqësit botërorë janë më të shqetësuar në lidhje me mundësinë që terroristët në vende si Pakistani të marrin materiale bërthamore si dhe nga kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut.

Ky do të jetë takimi i katërt dhe i fundit i sigurisë bërthamore për presidentin Barak Obama.

Në seancat e mëparshme vendet pjesëmarrëse kanë diskutuar mbi pakësimin e përdorimit të uraniumit të pasuruar, sigurimin e materialeve të pambrojtura bërthamore, shmangien e kontrabandës së lëndëve bërthamore dhe terrorizmin.

"Këto takime shpresoj të kenë krijuar një regjim ndërkombëtar që përforcon normat dhe praktikat të vendeve në lidhje me sigurinë dhe operacionet", thotë Victor Cha i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Por ekspertët thonë se çështjet kyçe mbeten të pazgjidhura:

"Objektivi i përgjithshëm i sigurimit të materialeve më të rrezikuara bërthamore në katër vjet, pavarësisht përparimit që është bërë, nuk mendoj se është realizuar", thotë Sharon Squassoni e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Pjesa më e madhe e materialit mbetet në magazina ushtarake, thonë analistët, duke e bërë atë një çështje veçanërisht të mprehtë.

Rusia ka refuzuar të marrë pjesë, duke thënë se këto takime e kanë shterruar potencialin e tyre:

"Qeveritë ruse dhe kineze nuk mbështesin axhendën e gjerë dhe në fakt ato janë duke menduar për modernizimin dhe zgjerimin arsenaleve të tyre bërthamore me një ritëm tërësisht të ndryshëm nga vendet e Perëndimit".

Por çfarë do të ndodhë pasi Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të marrë postin në janar të vitit të ardhshëm?

Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

"Unë sigurisht shpresoj se presidenti i ardhshëm ta kuptojë se ruajtja materialeve bërthamore në gjithë botën është një prioritet i lartë i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara".

Shtëpia e Bardhë thotë se një nga qëllimet e këtij takimi do të jetë forcimi i një rrjeti ndërkombëtar të organizatave që të vazhdojnë punën për sigurinë bërthamore në mbarë globin.

XS
SM
MD
LG