Lidhje

Republikanët të shqetësuar pas një jave kaotike në Uashington


Presidentin Donald Trump vazhdojnë ta ndjekin probleme politike. Gjatë ditëve të fundit, presidenti ka intensifikuar kritikat kundër procesit hetimor që po zhvillon Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhje. Këto komente pasojnë shkarkimin javën e kaluar të Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson dhe humbjen në zgjedhjet e mesmandatit në Pensilvani të kandidatit republikan, gjë që mund të pasohet me një valë fitoresh të demokratëve në zgjedhje.

Presidenti Trump ishte në Nju Hempshër me një zotim të ri për të luftuar opioidet.

“Nuk do të ndalemi deri në fund. Kjo gjëmë e varësisë nga droga do të marrë fund në Amerikë,” tha presidenti.

Përpjekjet e presidentit për ta kthyer vëmendjen tek nismat politike pasojnë disa ditë të rrëmujshme pasi zoti Trump shkarkoi nga detyra Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson dhe u doli në mbrojtje ndryshimeve të shumta në personelin e Shtëpisë së Bardhë.

“Gjithmonë do të ketë ndryshime. Unë besoj se duhet të ketë ndryshime. Dua të dëgjoj ide të ndryshme. Larry Kudlow sapo u bë pjesë e stafit, mendoj se ai do të jetë një këshilltar i shkëlqyer ekonomik”.

Aleatët e presidentit tani mendojnë se ai ka fituar më shumë vetëbesim për të kryer detyrën.

“Mendoj se presidenti po e kupton se pas 15 muajve në detyrë tani ndjehet më rehat me përgjegjësitë që ka,” thotë ish-guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie.

Por të tjerë, si analisti Ken Gude, shohin tek kjo presidencë një kaos të pafund:

“Amerikanëve nuk u pëlqen kaosi. Ata votuan për Trumpin në një masë të mirë pasi donin që ai të sillte një frymë të re. Por këtu kemi të bëjmë me një udhëheqës kaotik, kur njerëzit largohen nga administrata në çdo institucion, pa pasur ndonjë ide të qartë përse po bëhen këto lëvizje, nuk mendoj se amerikanëve u pëlqejnë këto lëvizje”.

Pas fitores që besohet se ka siguruar në Pensilvani kandidati demokrat në zgjedhjet e mesmandatit, udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi parashikon një numër fitoresh të tjera në zgjedhjet e nëntorit:

“Ndjehem mjaft optimiste se do të fitojmë, se do të marrim një numër vendesh dhe kjo do t’i shërbejë popullit amerikan”.

Zgjedhjet e nëntorit duket se do të shndërrohen në referendum për presidentin, thotë analisti Jim Kessler:

“Parashikoj se zgjedhjet e nëntorit do të shndërrohen në kasaphanë për republikanët. Mendoj se do të dalin shumë keq”.

Republikanët do t’i ndihmonte rritja e popullaritetit të presidentit, thotë analisti John Fortier:

“Aktualisht presidenti gëzon përkrahjen e afro 41 për qind të amerikanëve. Nuk është një nivel i kënaqshëm. Nëse arrin ta përmirësojë këtë shifër me përmirësimin e ekonomisë, partia e presidentit do të përfitonte nga kjo rritje”.

Një numër postimesh që ka bërë presidenti në Twitter ku sulmonte procesin hetimor mbi Rusinë kanë krijuar shqetësimin se ndoshta presidenti do të përpiqet të shkarkojë Prokurorin e Posaçëm Mueller.

Por shumë figura politike, përfshirë edhe disa republikanë janë shprehur se nëse e merr këtë hap, presidenti do të jetë në rrezik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG