Lidhje

Shtëpia e Bardhë shpreson se Irani do të lirojë njërin nga tre të rinjtë amerikanë


Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara "shpresonin" që Irani do të lironte një nga tre të rinjtë amerikanë që ka mbajtur në burg që nga korriku i vitit të kaluar. Autoritetet në Teheran kanë rënë dakord që Sarah Shaurd të lirohet kundrejt një shume prej gjysmë milioni dollarë për arsye shëndetësore, ndërsa është në pritje të gjykimit të saj për spiunazh dhe hyrje ilegale në vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, William Ide, sjell hollësi nga Uashingtoni.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Dejvid Akselrod tha se zyrtarët amerikanë presin të shohin nëse Irani do të lirojë njërin nga tre të rinjtë amerikanë.

"Kuptohet, jemi me shpresë dhe ndjehemi të inkurajuar nga ky lajm. Por edhe në të kaluarën janë ndërmarrë nisma që më pas janë ndërprerë."

Zoti Akselrod foli në programin "Meet the Press" të televizionit NBC. Ai nuk pranoi të fliste për dy të rinjtë e tjerë -- Shejn Bauër dhe Xhosh Fatal -- dhe mundësinë që edhe ata të lirohen, duke cekur se mund të ndikoheshin rrethanat.

"Kemi shpresë se do t'i nxjerrim që andej. Ata nuk duhet të ishin burgosur. Po mbahen nën pretendime të rreme dhe duhet të lirohen."

Prokurori i Teheranit, Abas Xhafar Dolatabadí, thotë se amerikania Shaurd mund të lirohet brenda dy ose tri ditëve, pasi të jetë paguar shuma e parave.

Duke folur në televizionin shtetëror të Iranit, zoti Dolatabadi tha se për shkak se zonja Shaurd ishte sëmurë, gjykatësit kanë vendosur t'ia kthejnë paraburgimin në lirim kundrejt një pagese prej 500 mijë dollarësh.

Nëna e zonjës Shaurd thotë se bija e saj ka një problem me zverkun që mund të shndërrohet në kancer, si dhe një gjëndër në gji që nuk i është trajtuar.

Mosud Shafiei, avokati iranian që po përfaqëson tre amerikanët, tha se zotit Bauër dhe zotit Fatal u është shtyrë paraburgimi për dy muaj. Ai thotë se po punon që edhe ata të lirohen me kaucion.

Zoti Shafiei thotë se ka qenë në kontakt me ambasadën zvicerane në Teheran për të bashkërenduar pagesën për zonjën Shaurd. Ambasada zvicerane përfaqëson interesat amerikane në Iran sepse të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Pagesa paraqet problem për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë vënë sanksione të rrepta kundër transaksioneve financiare me Iranin. Nuk është e qartë nëse pagesa do të shkelte sanksionet tregtare të Shteteve të Bashkuara apo nëse do të parashtrohet kërkesë që ky rast të përjashtohet nga sanksionet.

Familjet e të rinjve nuk kanë pranuar të komentojnë njoftimet për lirimin e mundshëm të bijve të tyre. Një shkrim në faqen Facebook për tre të rinjtë falënderonte ata që kanë dërguar mesazhe mbështetjeje në këtë rrjet shoqëror elektronik.

Amerikanët Shaurd, Bauër dhe Fatal u arrestuan në korrik 2009 përgjatë kufirit Iran-Irak. Familjet e tyre thonë se të tre kishin qenë duke shëtitur në rajonin e Kurdistanit në Irak, kur pa qëllim kaluan kufirin, i cili nuk është i shënuar aq mirë.

Irani i ka akuzuar ata për hyrje të paligjshme në vend dhe për spiunazh, rast që ka dëmtuar edhe më tej marrëdhëniet e tendosura mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, zyrtarët iranianë thanë se zonja Shaurd do të lirohej të shtunën mbrëma nga burgu Evin, ku është mbajtur e vetmuar në qeli. Lëvizja është parë nga disa analistë si një falje e bashkërenduar nga Presidenti Mahmud Ahmedinezhad për të përkuar me festën e Bajramit. Por gjyqësori mohoi lirimin, duke nxitur spekulimet mes ekspertëve për përçarje brenda qeverisë iraniane lidhur me rastin.

XS
SM
MD
LG