Lidhje

Shtëpia e Bardhë, kufizime për dhënien e lejeve për qasje tek informacionet sekrete


Shtëpia e Bardhë njoftoi se kufizimet e reja tek mënyra se si do të kryhen kontrollet për të marrë leje për qasje tek informacionet e klasifikuara, të cilat hyjnë në fuqi të premten, nuk do të ndikojnë tek puna e këshilltarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner.

Dhëndri i Presidentit Donald Trump ka punuar për më shumë se një vit me një leje të përkohshme. Falë pozicionit të tij ai ka pasur qasje tek disa prej informacioneve më të ndjeshme, përfshirë informimet e përditshme të presidentit lidhur me çështje të sigurisë.

Shefi i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, John Kelly njoftoi javën e kaluar se rregullat e reja do të heqin lejet e përkohshme nga ata që aktualisht kanë qasje në nivelet më të larta të sistemit të klasifikuar të sigurisë.

Por dje sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders u tha gazetarëve se ky ndryshim nuk do të ketë ndikim në punën e zotit Kushner.

"Asgjë nuk do të ndikojë punën e vlefshme që po bën Jared. Ai vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë një anëtar i vlerësuar i ekipit", tha zonja Sanders.

Detyrat e zotit Kushner përfshijnë një gamë të gjerë, nga procesi i paqes izraelito-palestinez, tek funksionimit me efikasitet i qeverisë federale apo puna me marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut.

"Siç i thashë Jaredit ditë më parë, kam besim të plotë në aftësinë e tij për të vazhduar kryerjen e detyrave që lidhen me politikën e jashtme, përfshirë mbikëqyrjen e përpjekjeve tona të paqes izraelito-palestineze dhe shërbimi si pjesë integrale e marrëdhënieve tona me Meksikën", tha zoti Kelly në një deklaratë.

Punonjësit e qeverisë së Shteteve të Bashkuara duhet të dorëzojnë një formular të hollësishëm me informacione për të shkuarën e tyre, siç janë punët dhe adresat e mëparshme, të afërmit, kontaktet e huaja, aktivitete biznesi në vende të tjera dhe të dhënat kriminale. Informacioni shërben si bazë për hetuesit për të përcaktuar nëse personit i duhet besuar qasja tek informacionet e klasifikuara.

Jared Kushner i ka ndryshuar informacionet e tij shumë herë, duke e vonuar procesin e marrjes së leje të përhershme.

Kur u pyet nëse zoti Trump do të përdorte autoritetin e tij ekzekutiv për t'i dhënë zotit Kushner një leje për qasje tek informacionet sekrete, zonja Sanders tha dje se ajo nuk kishte biseduar me presidentin "nëse një gjë e tillë do të ishte apo jo e nevojshme".

Sipas zyrtarëve të administratës, rregullat e reja të Shtëpisë së Bardhë pritet të ndikojnë disa dhjetra të punësuar edhe pse shumica e tyre nuk ka nevojë për një leje për qasje tek informacionet e klasifikuara, me qëllim kryerjen e detyrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG