Lidhje

Jep dorëheqjen Drejtori i Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë


Drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Mike Dubke, do të largohet nga posti, pas vetëm tre muajve në detyrë.

Dorëheqja mund të jetë e para në një sërë ndryshimesh në stafin e afërt të Presidentit Donald Trump, ndërkohë që ai përpiqet të formulojë një përgjigje ndaj hetimeve rreth lidhjeve të ndihmësve të tij me Rusinë.

Zoti Dubke e dha dorëheqjen dy javë më parë, por Presidenti Trump e pranoi ofertën e tij për të qëndruar në detyrë gjatë kohës që do të ishte në Lindjen e Mesme dhe në Evropë për turneun prej nëntë ditësh, që sapo përfundoi.

Asnjë ndryshim tjetër në stafin e Shtëpisë së Bardhë nuk është shpallur, por sipas njoftimeve, zoti Trump po shqyrton disa lëvizje me shpresën për t’u ofruar votuesve amerikanë një paraqitje më të mirë të punës së administratës.

Zoti Trump dhe ndihmësit e tij përballen me mundësinë e hetimeve të gjata rreth lidhjeve të tyre me Moskën. Një prokuror i posaçëm po heton për të sqaruar nëse pjestarë të ekipit të tij të fushatës kanë bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me zyrtarët rusë për ta ndihmuar atë të fitonte në zgjedhje. Ndërkohë, disa komisione të Kongresit po mbledhin fakte rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Zoti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet se rusët e ndihmuan për të fituar zgjedhjet. Sot, në një koment në Twitter, ai e quajti këtë një "justifikim të çalë" të demokratëve për humbjen e Shtëpisë së Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG