Lidhje

Wikileaks boton dosjet e të dyshuarve për terrorizëm


Wikileaks boton dosjet e të dyshuarve për terrorizëm
Wikileaks boton dosjet e të dyshuarve për terrorizëm

Grupi kundër mbajtjes së sekreteve, Wikileaks, ka botuar një tjetër seri dokumentesh amerikane të klasifikuara, të cilat këtë radhë kanë të bëjnë me burguan e Guantanamos. Pjesa e parë e dokumenteve, për të cilat kanë folur mediat amerikane dhe të huaja, merret me informatat që kanë dhënë të ndaluarit gjatë marrjes në pyetje dhe kërcënimet që ata mund të paraqesin në të ardhmen. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, ushtria amerikane hedh dyshime për lidhje të dy agjencive aleate të zbulimit me grupe terroriste.

Shumica e dokumenteve të botuara kohët e fundit nga Wikileaks mund të cilësohen si dosje personale të të burgosurve në Guantanamo. Ato janë klasifikuar si dokumente që nuk mund të ndahen me agjenci të huaja zbulimi, dhe janë kryesisht vlerësime se kush mund të përbëjë kërcënim terrorist në të ardhmen. Por ka edhe disa materiale mbështetëse, përfshi një dokument që mund të sjellë shumë polemika, lidhur me grupet që mbështesin terrorizmin.

Një dokument tejet i gjatë është udhëzues për hetuesit dhe zyrtarët e tjerë mbi çfarë duhet të përqendrohen për zbulimin e një terroristi të mundëshëm. Një listë organizatash të përcaktuara si “forca të lidhura” me al-Kaidën ose talebanët përfshin agjencinë e zbulimit të Pakistanit dhe atë të Jemenit. Të dy këto agjenci kanë marrë miliona dollarë në ndihma amerikane për të luftuar terrorizmin.

Zbulimi pakistanez i njohur si ISI është kritikuar prej kohësh nga disa qarqe për lidhje të dyshuara me talebanët afganë, por Pakistani i ka mohuar akuzat në mënyrë të përsëritur. Disa pjesë të Jemenit, që tani janë pushtuar nga destabiliteti politik, kanë qenë strehë të sigurta për al-Kaidën e Gadishullit Arabik, një degë e grupit fillestar.

Në dosje jepen hollësi rreth informatave të nxjerra gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve të ndaluar në Guantanamo, ndër të cilët ka edhe persona që kanë lidhje me udhëheqësin e al-Kaidës, Osama bin Laden.

Ish-oficeri i CIA-s, Majkëll Shojër, i cili ka udhëhequr një kohë njësitin në kërkim të bin Ladenit, thotë se nga dokumentet, duket se marrjet në pyetje nuk kanë gjetur ndonjë informacion që do të çonte në sulme ndaj objektivave të terroristëve.

“Në mënyrë të pashmangshme, kur flet me ndonjë pjesëtar të al-Kaidës ose dikë që ka lidhje me al-Kaidën, mund të nxirren informacione që ndihmojnë për të kuptuar organizatën dhe mënyrën si funksionon ajo. Shumë rrallë zbulon të dhëna që mund të çojnë në veprim. Të shumtën e rasteve, operatorët e al-Kaidës flasin me krenari për organizatën e tyre, për arritjet dhe vendin që pretendojnë në historinë islame. Nga ç’kam lexuar deri tani nga këto dokumente të botuara, gjatë marrjes në pyetje është folur pikërisht për këto çështje.”

Shejn Kadidal nga Qendra për të Drejtat Kushtetuese thotë se shumica e informatave nuk trajtojnë fare al-Kaidën ose talebanët.

“Shumë nga marrjet në pyetje, të kryera gjatë disa viteve, nuk kishin të bënin me 11 shtatorin apo terrorizmin. Ata ishin njerëz që u mbajtën për vite për të nxjerrë informata rreth veprimtarive të al-Xhazirës apo shërbimit uzbek të zbulimit, familjen mbretërore të Bahrejnit ose rreth mënyrës së rekrutimit të talebanëve, edhe pse njerëzit që po merreshin në pyetje kishin thënë se ishin rekrutuar nga talebanët pa vullnetin e tyre.”

Por ish punonjësi i CIA-s, Shojër thotë se hetuesit nxorën informata të vyeshme. Ai thotë dokumentet tregojnë se, ndryshe nga pikëpamjet e shprehura nga ish drejtori i CIA-s, Xhorxh Tenet në vitin 2002, bin Ladenin nuk e befasoi reagimi amerikan ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Zoti Shojër shton se informatat zgjerojnë njohuritë për bin Ladenin dhe zëvendësit e tij.

“Tjetër çfarë e kemi të qartë është se, si para edhe pas 11 shtatorit, bin Ladeni ka qenë tejet aktiv. Ai, bashkë me Ajman al-Zauahirin, Halid Shejh Mohamedin dhe të tjerë, ka lëvizuar në këmbë nëpër vend, është takuar me njerëz, ka biseduar rreth planeve dhe në përgjithësi duket se ka drejtuar organizatën në një mënyrë shumë profesionale.”

Mark Denbo, kreu i Qendrës për Politika dhe Hulumtime pranë Universitetit Siton Holl, thotë se dokumentet shërbejnë si bazë për mbajtjen e mëtejshme të të ndaluarve. Qendra që drejton ai ka zhvilluar kërkime të thella mbi të ndaluarit në Guantanamo dhe ndërlikimet për sigurinë. Zoti Denbo thotë se shumica e gati 800 të ndaluarve që janë mbajtur në kamp prej janarit 2002 janë ose të pafajshëm ose ushtarë të rangut të ulët.

“Tani e dimë atë që pohojnë se është arsyeja sekrete për mbajtjen e të ndaluarve. Por në bazë të dhënave që kemi nxjerrë deri tani, profili i të ndaluarve që kanë qenë në Guantanamo është i rangut të ulët, i përkrahësve të parëndësishëm nëpër pjesë të ndryshme të Afganistanit e Pakistanit.”

Abdul Bagi, bujk nga profesioni, u ndalua në afërsi të Kandaharit në shkurt të vitit 2003. Sipas dokumenteve, ai u konsiderua pjesëtar i talebanëve dhe më 2004 u përcaktua si luftëtar armik. Por, sipas një dokumenti tjetër, në maj 2005, u rivlerësua se ai paraqiste rrezik të ulët. Dokumenti citonte se personi në fjalë nuk di të lexojë, nuk di të shkruajë përveç emrit të tij dhe se nuk dinte se ç’ishte xhihadi, por besonte se ishte diçka që bënin ushtarët dhe qeveria afgane. Në dokumente thuhet se ai u ndalua sepse kishte veshur një xhaketë ngjyrë ushtarake të ngjashme me talebanët që kishin sulmuar forcat amerikane.

Raportet e botuara thonë se pas tre vjetësh ndalimi, ai u rikthye në Afganistan në shkurt të vitit 2006.

XS
SM
MD
LG