Lidhje

WikiLeaks boton dokumente të viteve ‘70


Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange është përsëri në qendër të vëmendjes me botimin e afro 2 milion dokumentash amerikane diplomatike dhe të zbulimit të viteve 1970 që nuk janë më sekret. Para tre vjetësh Wikileaks botoi mbi një çerek milioni dokumenta sekrete diplomatike, duke shkaktuar debate. Assange, që po strehohet në një ambasadë, për të shmangur ekstradimin në Suedi për krime të lidhura me dhunë seksuale, e deklaroi lëvizjen e fundit përmes një lidhjeje me skype.

Afro një vit pasi kërkoi strehim në ambasadën e Ekuadorit në Londër, Julian Assange shfaqet në Skype dhe pastaj zhduket përsëri...

Ai thotë se 1.7 milion dokumenta të botuara në faqen WikiLeaks tregojnë se Shtetet e Bashkuara ishin politikisht të angazhuara në pjesën më të madhe të çështjeve botërore gjatë viteve 1970.

WikiLeaks njoftoi paraprakisht shumë gazeta në gjithë botën për dokumentat diplomatike që kishin lidhje me vendin e tyre, si për shembull The Hindu e Indisë që botoi një artikull për Rajiv Gandhi, i cili vite para se të bëhej kryeministër, mund të ketë shërbyer si ndërmjetës për shitjen e avionëve luftarakë nga një kompani suedeze, Indisë.

“Korrupsioni në dinastinë politike Gandhi njihet në gjithë botën. Ka ardhur koha që Partia e Kongresit e Indisë të shfaqë një ndjenjë modestie para se të hyjë në korridoret e pushtetit”.

Gazeta Publica e Brazilit, thotë se një kabëll nga ambasadori amerikan në Brazil, bën fjalë për ndihmë amerikane për qeverinë ushtarake braziliane, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara ishin në dijeni të torturës në vend.

Ndërsa në Egjipt në vitin 1975 një dokument lë të kuptohet se Departamenti i Shtetit kishte bashkëpunuar me Vëllazërinë Myslimane për të qetësuar protestat majtiste dhe grevat në Universitetin e Kairos.

Dokumentat janë publike dhe janë vënë në dispozicion nga Arkiva Kombëtare në Uashington. Por Assange thotë se gjetja e tyre është shumë e ndërlikuar.

Assange thotë se vështirësia për gjetjen e këtyre dokumentave është një formë mbajtjeje sekret. Dhe organizata e tij po i zbulon dhe organizon këto dosje, në mënyrë që gazetarët dhe publiku ta kenë të lehtë t’i shohin.

“Praktikisht ato nuk janë në dispozicion të publikut në një mënyrë ekifase që publiku të mund t’i kuptojë apo t’i përdorë”.

Patrick Ventrell është zyrtar i Departamentit të Shtetit.

“Ne në Departamentin e Shtetit, punojmë për t’i bërë publike materialet dhe për t’i vënë në dispozicion të publikut”.

Faqja e internetit WikiLeaks përmban gjithashtu edhe 250 mijë dokumentat sekrete që u bënë publike para tre vjetësh. Ushtari Bradly Manning përballet me një gjyq ushtarak në Qershor nën akuzat se ia ka dhënë dokumentat WikiLeaks.

WikiLeaks do të regjistrohet si parti politike në zgjedhjet e këtij viti në Australi dhe Assange do të jetë kandidat. Kur Zëri i Amerikës e pyeti për këtë temë, zoti Assange refuzoi të përgjigjej:

“Nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”.

Assange thotë se dokumentat e WikiLeaks tregojnë se Shtetet e Bashkuara ishin të angazhuara në lëvizje opozitare në gjithë botën, duke mbështetur njëkohësisht qeverinë në pushtet. Ai thotë se është njëlloj sikur të fusësh dy kuaj në garë, për të fituar me çdo kusht.

Siç komentoi një vëzhgues, kjo është diplomacia.

XS
SM
MD
LG